Maqedonia ka vetëm 13 inspektorë për mjedisin jetësor, a duhet shteti t’i marrë ingerencat nga komunat?
Maqedonia ka një mungesë kronike të inspektorëve shtetërorë për mjedisin jetësor – vetëm 13 në mbarë vendin. Strumica, Prilepi, Manastiri, Kumanova nuk kanë fare inspektor, ndërsa në Ohër, edhe pse është zonë e mbrojtur nga UNESCO, ka vetëm një. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, si një institucion kyç që duhet t’i monitorojë ndotësit kryesorë, ka mungesë të gjysmës së inspektorëve të nevojshëm për mjedisin jetësor, ndërsa edhe ata që janë, ose janë para pensionimit ose kanë punuar sa për gjithë jetën. Dhe kjo po ndodh ndërkohë që Maqedonia është në mesin e pikave më kritike ekologjike në Evropë dhe ka një problem të madh me lëndët djegëse fosile, industrinë, minierat, komunikacionin rrugor dhe deponitë, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.
Darko Blinkov nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor për “Slloboden Peçat” tha se katër kolegë të tij u pensionuan në vitin 2024 dhe 2025, ndërsa në fund të këtij viti, në dhjetor, do të përfundojë edhe karriera e një inspektori nga Tetova.
“Ndërkohë, kemi punonjës të ri, por ata janë me kontrata njëvjeçare. Praktikisht, ata nuk mund ta japin as provimin për nëpunës administrativ, e lëre më të arrijnë deri tek modulet e përcaktuara me Ligjin për Mbikëqyrje Inspektuese, që të mund t’i nënshtrohen provimit për inspektor – pjesës teorike dhe praktike”, thotë Darko Blinkov nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor për “Slloboden Peçat”.
Ai shpjegon se në Inspektorat janë të punësuar gjithsej 24 persona plus drejtoresha, nga të cilët vetëm 18 janë inspektorë. Trembëdhjetë prej tyre janë për mjedisin jetësor, tre për natyrën dhe dy janë për burimet ujore, edhe pse vetëm për Shkupin nevojiten të paktën dhjetë.
“Sipas aktit të sistematizimit (Rregullores), nga 50 vende pune, të plotësuara janë vetëm 24 janë dhe kemi mungesë prej 26 punonjësish. Kjo është 50 përqind. Këtë vit, institucioni ka në dispozicion rreth 35 milionë denarë, ose dy milionë më pak se vitin e kaluar, nga të cilat 83 përqind shkojnë për paga, ndërsa pjesa tjetër shkon për karburant, materiale të konsumueshme dhe të ngjashme. Për fat të keq kjo nuk mjafton. Nëse e marrim shembullin e inspektoratit slloven, ai ka dyfish më shumë punonjës (50), ndërsa buxheti i tij vjetor është 7,5 milionë euro”, thekson Blinkov.
Krizë e përgjithshme me sistemin e inspektimit
Sipas Inspektorit të përgjithshëm për mjedisin jetësor, edhe gjendja në nivel komunal është “e palakmueshme”.
Këta janë inspektorë që kujdesen për kapacitete më të vogla me leje të integruara B, por edhe për probleme të ndryshme ekologjike lokale.
“Edhe pse kanë një detyrim ligjor për të emëruar inspektorë, vetëm rreth 50 përqind e komunave e kanë bërë këtë gjë. Në përgjithësi sistemi i inspektimit është në krizë. Përveç kësaj nga 1 janari i vitit 2026 të gjitha inspektoratet shtetërore u kthyen përsëri tek ministritë. Ne gjithmonë kemi qenë organe në kuadër të ministrive, por e humbëm buxhetin e linjës së parë dhe subjektivitetin ligjor (domethënë, në vend që për buxhetin dhe punësimet të jetë përgjegjës drejtori, tani është përgjegjës ministri). Si rezultat, një numër i madh inspektoratesh po përballen me sfida administrative dhe financiare, si dhe me mungesë të burimeve njerëzore”, thotë ai.
Në pyetjen se “cila është zgjidhja”, Blinkov thekson se ata tashmë kanë pasur “diskutime pozitive dhe marrëveshje për reformat” në një nivel më të lartë qeveritar.
“Projekti ynë përfundon diku në nëntor, kështu që do të propozojmë që të mos ketë inspektorë në nivel lokal. Kjo do të thotë që Inspektorati Shtetëror do duhet të marrë përsipër 20-30 komuna dhe të krijojë një sistem të vetëm inspektimi, siç ishte 20 vjet më parë. Do të bëjmë një riorganizim të brendshëm – kush për çfarë do të jetë përgjegjës sipas fushave. Që të ketë mbulim dhe të mos ketë “boshllëqe” në aspektin e kompetencave. Por ky është një proces, duhet të ndryshohen ligjet për mjedisin jetësor, për inspektimin e mjedisit jetësor, për vetëqeverisjen lokale dhe ligji për Qytetin e Shkupit. Nevojitet vullnet politik për ndryshim”, thotë Inspektori i përgjithshëm për mjedisin jetësor.
Model inspektimi pa frikë dhe pa anshmëri?
Kiril Ristovski është pjesë e “Florozon”, një organizatë që, së bashku me shoqata, nisma dhe aktivistë të tjerë ekologjikë gjithashtu propozoi që inspektorët lokalë të përjashtohen plotësisht nga juridiksioni i komunave, domethënë që ata të bëhen pjesë e inspektorateve shtetërore.
Në këtë mënyrë juridiksioni për të gjitha ndikimet ndaj tokës, ujit, ajrit ose mbeturinat do kalojë tek inspektoratet shtetërore.
Praktikisht sistemi i inspektimit do të planifikohej sipas rajoneve. Ai thotë se në këtë mënyrë do të shpërndaheshin burimet dhe do të kultivohej një model pa anshmëri.
“Në komunitetet më të vogla është shumë e vështirë të jesh inspektor sepse të gjithë i njohin të gjithë. Këto lidhje janë shumë të ngushta. Por, për shembull, është ndryshe nëse një inspektor nga Probishtipi vjen në Kriva Pallankë. Ai do të jetë shumë më objektiv, i paanshëm dhe i suksesshëm në punën e tij”, thekson kryetari i “Florozon”, i cili për më shumë se 20 vjet po bën hulumtime në fushën e mbrojtjes dhe monitorimit të mjedisit jetësor.
Ai thotë se me konfigurimin aktual inspektorët lokalë kanë frikë të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe nuk guxojnë të dalin në terren.
“Kryetari i komunës e ka rolin kryesor në përcaktimin se kush do të jetë inspektori, çfarë dhe si do të punojë. Ligji për Mbikëqyrje Inspektuese në mjedisin jetësor i jep kryetarit të komunës autoritet të plotë. Kjo është absurde! Praktikisht inspektorët për mjedisin jetësor bëhen një krah i zgjatur i politikës lokale”, thekson Ristovski.
Derë e hapur edhe për revanshim të ministrit ndaj inspektorit
Ristovski thotë se nëse shikojmë në nivel shtetëror, mungon këshilli i inspektimit, të cilin kjo Qeveri e shfuqizoi. Këshilli ishte një “ombrellë” për disa inspektorate, ndërsa me rekomandimin e BE-së parashikonte një program edukativ për mbikëqyrje inspektuese.
“Me shfuqizimin e këshillit të inspektimit ne e kthejmë sistemin e 15-20 viteve të para të pavarësisë. Dhe ideja si e BE-së ashtu edhe e organizatave ekologjike është që të eliminohet ndikimi i pushtetit ekzekutiv në procedurat e inspektimit. Sepse tani, sipas ligjit, ministri mund të formojë një komision që do ta shqyrtojë punën e një inspektori për mjedisin jetësor. Pra, nëse ministri dëshiron revanshim politike kundër një inspektori të caktuar, ai mund ta bëjë këtë në një mënyrë ligjore dhe të thjeshtë”, thekson ai.
Në pyetjen se pse shteti ka kaq pak inspektorë, ai thotë se “ka më shumë faktorë”. Nga pagat e ulëta, mungesa e hapësirës për avancim, deri te ideja se ndonjë nga ata mund të përfundojë në situata të rrezikshme, në kushte ku sundojnë grupe të caktuara, si dhe fakti që “nuk ka askush që do t’i mbështesë”.
“Si do të motivohet një inspektor të hyjë në minierë ose në një industri metalesh të rënda? Një faktor tjetër është se nuk kemi mjaftueshëm kuadro profesionale që do të merrnin rolin e inspektorit”, thekson Ristovski.
Si të dilet nga kjo situatë?
Kryetari i “Florozon” shpëtimin e vetëm e sheh tek ajo që shteti të krijojë një sistem monitorimi të vazhdueshëm, të mos mbështetet te ndotësit dhe monitorimi që ata e bëjnë vetë. Për shembull, shteti nuk ka një laborator të akredituar për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe nuk ka kuadër të tillë të trajnuar, por këtë e bëjnë laboratorë komercialë të akredituar.
Ristovski gjithashtu kërkon efekt më të madh edhe në dispozitat penale. Ai e parashtron pyetjen se sa nga mbikëqyrjet inspektuese kanë përfunduar me kallëzime penale?
“Në të shumtën e rasteve ato përfundojnë me marrëveshje dhe ndotësi do të paguajë 50 përqind të gjobës. Për shembull, ai do të paguajë 50.000 euro, kështu i kushton më lirë dhe më lehtë sesa të investojë në pajisje dhe standarde të reja. Kushton më lirë që të paguash për një incident! Ne duhet të ndërtojmë edhe një sistem të integruar që do t’i edukonte më tej kuadrot ekzistuese, që ata të mund të kryejnë mbikëqyrje inspektuese. Nevojitet njohuri nga e drejta penale, për kundërvajtje, administrative etj. Nuk është vetëm pjesa teknike – në kuptimin e menaxhimit të pajisjeve ose kontrollit të fabrikave, kapaciteteve të ndryshme ose minierave. Përveç kësaj duhet të formohen departamente të specializuara ekologjike në gjykata dhe prokurori, që në fund të mund të flasim edhe për drejtësi ekologjike”, përfundon Ristovski.
Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor tash e disa vite punon me gjysmën e inspektorëve të nevojshëm, ndërsa edhe ky numër po zvogëlohet për shkak pensionimit.