Bekim Fazliu nga Lëvizjes Arbëria, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës lidhur me emërtimin e rrugëve, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj identitetit dhe historisë së shqiptarëve informon Tetovasot.

Në reagimin e tij, Fazliu thotë se ky vendim dëshmon se në Gjykatën Kushtetuese ende mbijetojnë mbetje të mendësisë së kaluar qeverisëse, e cila, sipas tij, për vite me radhë ka kontestuar identitetin, historinë dhe kontributin e shqiptarëve në shtet.

“Pas gati dy dekadash vihet në pikëpyetje një vendim i miratuar nga përfaqësuesit legjitimë të qytetarëve dhe i shndërruar tashmë në pjesë të identitetit urban të Tetovës. Në vend që të garantojë siguri juridike dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve, Gjykata Kushtetuese po prodhon pasiguri dhe padrejtësi”, thekson Fazliu.

Ai shkon edhe më tej, duke deklaruar se Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një “gjeneratore krizash” dhe në një rrezik real për të ardhmen e shtetit.

Sipas tij, historia dhe identiteti i një populli nuk mund të anulohen me vendime gjyqësore dhe emrat shqiptarë nuk mund të fshihen nga kujtesa kolektive e qytetarëve.

Fazliu ka hapur edhe debatin për nevojën e rishikimit të rolit të Gjykatës Kushtetuese, duke përmendur si shembull Finlandën, e cila funksionon pa një gjykatë të tillë.

“Problemi nuk është mungesa e një Gjykate Kushtetuese, por ekzistenca e një gjykate që prodhon më shumë kriza sesa drejtësi”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Arbëria.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume