Promovohet iniciativë e re për parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor
„Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalimi sistemik i dhunës në familje dhe dhunës ndërmjet
bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor” është projekti i ri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i
cili synon të gjenerojë zgjidhje të qëndrueshme sistemike për parandalimin e dhunës në familje ndaj
fëmijëve përmes institucioneve arsimore dhe të pengojë shndërrimin e mëtejshëm të saj në dhunë
ndërmjet bashkëmoshatarëve në bankat shkollore.
Bëhet fjalë për iniciativë që bashkon disa institucione, organizata të shoqërisë civile dhe shkolla, e cila
do të zbatohet gjatë një periudhe njëvjeçare. Në promovimin e sotëm në Qeveri, ministrat e Arsimit
dhe Shkencës, të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe të Punëve të Brendshme, së bashku
me përfaqësues të Odës së Psikologëve, theksuan se dhuna në familje dhe dhuna ndërmjet
bashkëmoshatarëve janë sfida që me gjasë do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe në të ardhmen, por se
obligim i institucioneve dhe i të gjithë faktorëve shoqërorë është të reagojnë në mënyrën më të mirë të
mundshme, në mënyrë që statistikat negative të reduktohen në nivelin më të ulët të mundshëm.
Ministrja Janevska theksoi se projekti është i orientuar drejtpërdrejt drejt luftimit të shkaktarit kryesor
të dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve-dhunës në familje, gjë që konfirmohet nga shumë organizata
relevante dhe ekspertë. Fakt është, siç theksoi ajo, se fëmijët nuk bëhen agresivë në shkollë, por më së
shpeshti ata vijnë agresivë nga shtëpia.
„Do të punojmë për vendosjen e mekanizmit të qëndrueshëm për identifikimin e hershëm,
parandalimin dhe veprimin e duhur në rastet e dhunës në familje ndaj fëmijëve ose
neglizhimit të tyre, përmes lidhjes së sistemit arsimor, institucioneve dhe familjeve në rrjet të
përbashkët mbrojtjeje dhe mbështetjeje”, tha Janevska, duke shtuar se përveç pjesës së
fushatës me mesazhe përmes medieve, do të ketë edhe aktivitete në terren.
https://futura22.wetransfer.com/previews/07302c4de141b98b1290b3e7df8724e920260617155437/842285?itemId=5d89d0927d3fba4ad306cc80b5d1b5be20260617155508
Javën e ardhshme fillojnë trajnimet për të gjithë psikologët, pedagogët dhe punonjësit socialë
në arsimin fillor, me qëllim forcimin e kompetencave për identifikimin e fëmijëve viktima të
dhunës në familje përmes sjelljes së tyre dhe ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe
përhapjen e mëtejshme të saj. Fëmija, siç tha Janevska, duhet të identifikohet, të dëgjohet dhe
të mbrohet në kohë.
„Do të organizojmë gjithashtu diskutime me mësimdhënësit dhe familjet e nxënësve për të ngritur
vetëdijen mbi këtë problem dhe për të forcuar besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, përfshirë edhe
bashkëpunimin me institucionet. Në këto diskutime pres që të përfshihen edhe nxënësit. Do t’i ftojmë
për të rritur informimin dhe për të nxitur zërin e tyre – që për dhunën të mos heshtet. Nga përvojat dhe
praktikat e ndara, si dhe nga sugjerimet që do të marrim gjatë trajnimeve dhe diskutimeve në panel, do
të hartojmë edhe protokoll të unifikuar për veprim në rast të dyshimit për dhunë, me mjete për
vlerësimin e rrezikut”, shtoi Janevska.
Në konferencën për shtyp folën edhe ministrat Fatmir Limani dhe Pançe Toshkovski. Ata dhanë
mbështetje të plotë për zbatimin e projektit përmes përfshirjes së policisë dhe qendrave për punë
sociale.
“Dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve është dukuri komplekse shoqërore që nuk shfaqet në mënyrë të
izoluar. Shpesh pas saj qëndrojnë probleme më të thella – marrëdhënie të prishura familjare,
ekspozimi ndaj dhunës në familje, mungesa e mbështetjes emocionale, modele të papërshtatshme të
sjelljes, por edhe ndikime negative nga hapësira digjitale. Prandaj, detyra jonë nuk është të reagojmë
vetëm kur ndodh incidenti. Duhet të veprojmë shumë më herët – në familje, në kopsht, në shkollë, në
komunitetin lokal dhe në mjedisin digjital. Vizioni ynë është i qartë – shkolla pa frikë, familje në të
cilat kultivohet respekti dhe mirëkuptimi, hapësirë digjitale në të cilën të rinjtë janë të mbrojtur dhe
një shoqëri në të cilën dhuna nuk ka vend”, tha Limani.
Ministri Toshkovski theksoi se shifrat që posedon Ministria e Punëve të Brendshme tregojnë se në të
njëjtën periudhë kur rritet dhuna në familje, rritet edhe dhuna ndërmjet nxënësve.
„ Nuk mund të themi me siguri se çdo rast konkret është i lidhur, por aspektet kriminologjike të
problemit tregojnë se ekspozimi ndaj dhunës në shtëpi është një nga faktorët më të fortë të rrezikut për
agresion të mëvonshëm. Kjo është arsye e mjaftueshme që Ministria e Punëve të Brendshme të jetë
pjesë e këtij projekti që nga fillimi”, tha Toshkovski.
Ai theksoi se reagimi i fortë penalo-juridik është i domosdoshëm, por vetvetiu nuk është i
mjaftueshëm. Policia çdo ditë është linja e parë e kontaktit me familjet ku ndodh dhunë dhe
pikërisht për këtë arsye shkëmbimi i informacionit ndërmjet policisë, shkollave dhe qendrave
për punë sociale është thelbësor. Nëse fëmija është dëshmitar i dhunës në shtëpi, kjo duhet të
identifikohet përpara se të shndërrohet në dhunë në oborrin e shkollës.
Sipas Emiliја Boshkovska nga Oda e Psikologëve, shumë shpesh fëmija agresiv është fëmija
që ka mësuar se agresioni është gjuha e vetme përmes së cilës mund të shprehë dhimbjen e
tij.
“Kur një fëmijë është agresiv, reagimi ynë i parë duhet të jetë ta ndalojmë dhunën, por
përgjegjësia jonë profesionale është edhe të kuptojmë nga vjen ajo dhunë. Nëse trajtojmë
vetëm pasojën ndërsa jo edhe shkakun, rrezikojmë që cikli i dhunës të vazhdojë ndër breza”,
tha Boshkovska, duke shtuar se qëllimi i përbashkët është të krijohen shkolla që jo vetëm
transmetojnë dije, por edhe njohin dhimbjen, ofrojnë mbështetje dhe bëhen vend i sigurt për
çdo fëmijë.

