Sistemi arsimor duhet të bëhet hallka kyçe në njohjen dhe parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve. Me këtë qëllim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës promovoi projektin “Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalim sistemik i dhunës familjare dhe asaj mes bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor”.
Projekti parasheh bashkëpunim mes disa institucioneve, organizatave qytetare dhe shkollave, me synim krijimin e një mekanizmi afatgjatë për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e bartjes së modeleve të dhunshme nga familja në mjedisin shkollor.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, theksoi se pikërisht dhuna familjare shpesh mund të jetë një nga faktorët që ndikon në shfaqjen e dhunës mes bashkëmoshatarëve.
“Fëmijët nuk bëhen agresivë në shkollë, por zakonisht vijnë me modele të tilla sjelljeje nga shtëpia. Prandaj do të punojmë për krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm për njohjen e hershme, parandalimin dhe trajtimin e duhur të rasteve të dhunës familjare ndaj fëmijëve ose të neglizhimit të tyre”, deklaroi Janevska.
Në kuadër të projektit, nga java e ardhshme do të fillojnë trajnimet për psikologët, pedagogët dhe punonjësit socialë të arsimit fillor. Qëllimi është që ata të aftësohen më mirë për të njohur shenjat tek fëmijët që janë të ekspozuar ndaj dhunës dhe të reagojnë me kohë.
Gjithashtu, do të organizohen biseda dhe diskutime me mësuesit, prindërit dhe nxënësit për ngritjen e vetëdijes dhe krijimin e një komunikimi më të mirë mes familjeve, shkollave dhe institucioneve.
Mbi bazën e përvojave dhe rekomandimeve nga këto aktivitete, do të hartohet një protokoll i unifikuar për veprim në rast dyshimi për dhunë, me mjete për vlerësimin e rrezikut.
Në projekt do të përfshihen edhe Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Dhoma e Psikologëve.
Qëllimi i nismës është krijimi i një mjedisi shkollor më të sigurt, ku problemet do të njihen me kohë dhe fëmijët do të marrin mbështetje dhe mbrojtje të përshtatshme.