Pezullimi i një komentatori turk që u hoq nga transmetimi në Kupën e Botës 2026 është një përsëritje e një situate të ngjashme që kishte ndodhur edhe në Botërorin e vitit 2022.

“TRT”, që po ofron transmetimin e turneut, njoftoi se komentatori me përvojë Murat Ekrem Cimen është pezulluar për gjithë kohëzgjatjen e turneut.

Vendimi, i konsideruar i ashpër nga shumëkush, erdhi pasi ai ngatërroi disa herë Iranin me Zelandën e Re gjatë barazimit 2-2 në stadiumin “SoFi” të martën.

Klipet e gabimeve të tij u shpërndanë në rrjete sociale dhe “TRT” publikoi një deklaratë ku konfirmonte se komentatori ishte larguar nga transmetimi për shkak të gabimeve që ishin “të papranueshme sipas standardeve të transmetimit të ‘TRT’”.

Kjo do të thotë se për herë të dytë radhazi në Kupën e Botës, një transmetues turk përballet me një ndëshkim të rëndë.

Në vitin 2022, Alper Bakircigil u largua gjithashtu nga “TRT” ndërsa po komentonte ndeshjen mes Marokut dhe Kanadasë.

Ai u shkarkua nga puna në pushimin e ndeshjes dhe u raportua gjerësisht se largimi i tij erdhi pasi përmendi dy “fjalë të ndaluara” në pjesën e parë.

Bakircigil përmendi emrin e Hakan Şükürit, golashënuesit rekord të Turqisë dhe autorit të golit më të shpejtë në historinë e Kupës së Botës (11 sekonda kundër Koresë së Jugut në ndeshjen për vendin e tretë).

Şüküri, i cili ka luajtur për Galatasaray, Interin dhe Blackburn Rovers, ka shënuar 51 gola në 112 ndeshje me kombëtaren.

Megjithatë, ai është bërë figurë shumë e diskutueshme në Turqi, deri në atë pikë sa përmendja e tij në transmetim u konsiderua problematike.

Pas daljes në pension, ai hyri në politikë dhe më pas u akuzua për përfshirje në një tentativë grushti shteti, akuza që ai i ka mohuar.

Ai u largua në Shtetet e Bashkuara, ku ka jetuar në mërgim, duke punuar edhe si shofer i “Uber” dhe duke hapur një shkollë futbolli në Kaliforni.

Në një intervistë, ai ka thënë: “Nuk kam më asgjë. (Recep Tayyip) Erdogan më mori gjithçka: lirinë time, të drejtën për të folur dhe të drejtën për të punuar”.

Galatasaray gjithashtu e ka përjashtuar nga përmendjet dhe materialet zyrtare, duke e fshirë nga përmbajtjet për triumfin e tyre në Kupën UEFA të vitit 2000.

Në 20-vjetorin e atij suksesi, klubi nuk e përfshiu emrin e tij në materialet përkatëse, përfshirë edhe momentin e penalltisë së tij në finale.

Në përgjigje, Şüküri kishte deklaruar: “Do të vijë koha kur do ta tregoj historinë e vërtetë të këtij trofeu… Historia shkruhet një herë, dhe ne e shkruam atë”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume