Brikena Ramadani ka reaguar publikisht ndaj, siç i quan ajo, shpifjeve dhe sulmeve që po qarkullojnë ditëve të fundit në profile anonime dhe portale, ku pretendohet se ajo merr paga nga disa institucione njëkohësisht.

Në reagimin e saj, Ramadani thekson se prej vitit 2012 është e angazhuar në Komunën e Sarajit, ku ka ushtruar detyrat e saj me profesionalizëm dhe përgjegjësi. Ajo nënvizon se është magjistre e Arkitekturës dhe urbaniste e licencuar, duke shtuar se karrierën e ka ndërtuar mbi arsimimin dhe punën profesionale.

Duke iu referuar pretendimeve për angazhimin e saj në Komunën e Tetovës, Ramadani sqaron se mjetet e përmendura në publik janë kompensim për angazhimin e saj si anëtare e Komisionit Zgjedhor.

“Si çdo anëtar tjetër i komisioneve zgjedhore që ka marrë kompensim për punën e kryer gjatë ditës së zgjedhjeve, edhe unë kam marrë pagesën që më takon sipas ligjit dhe procedurave përkatëse”, thekson ajo.

Sa i përket angazhimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ramadani bën të ditur se është pjesë e një projekti ndërkombëtar me kohëzgjatje të caktuar, duke shtuar se është përzgjedhur përmes thirrjes publike në bazë të kualifikimeve profesionale.

Ajo shpreh shqetësim edhe për përfshirjen e familjes së saj në këto sulme, duke dënuar publikimin e fotografive të një vajze të re që, sipas saj, nuk ka asnjë lidhje me çështjen.

“Janë kaluar të gjithë kufijtë e njerëzimit, etikës dhe moralit. Asnjë grua, asnjë nënë dhe asnjë profesioniste nuk meriton të bëhet objekt i fushatave të tilla denigruese”, shkruan Ramadani.

Në fund, ajo u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e manipulimeve dhe fabrikimeve të profileve anonime dhe portaleve që, sipas saj, kanë humbur standardet profesionale dhe njerëzore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume