Ish-kryetari i Komunës së Lozovës nga radhët e LSDM-së, Aco Velkovski, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka dalë me një propozim për formimin e një qeverie të re me mandat njëvjeçar, duke vlerësuar se një hap i tillë do të përbënte një kthesë historike për shtetin.
“Mos pyesni nëse të rinjtë janë të gatshëm ta udhëheqin Maqedoninë. Pyetni veten se sa gjatë mund të bëjë Maqedonia pa ta”, ka shkruar Velkovski.
Sipas tij, të rinjtë nuk janë e ardhmja, por e sotmja e Maqedonisë dhe meritojnë mundësinë për të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit.
“Të arsimuar, ambiciozë, të aftë dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësi. Në vend që t’i dërgojmë në shtete të huaja për të ndërtuar ekonomi të huaja, le t’u japim mundësinë që ta ndërtojnë atdheun e tyre këtu”, thekson ai.
Në postimin e tij, Velkovski nënvizon se nëse të rinjtë mund të menaxhojnë me sukses kompanitë më të mëdha botërore, të krijojnë inovacione dhe të ndryshojnë botën, atëherë ata mund ta udhëheqin edhe Maqedoninë drejt një të ardhmeje më të mirë. Ai vlerëson se formimi i një qeverie të re do të dërgonte një mesazh të fuqishëm jo vetëm për opinionin vendas, por edhe jashtë kufijve të shtetit.
“Maqedonia nuk ka kohë për të humbur. Është koha që të rinjtë të marrin një shans, kurse shteti një fillim të ri. Rreziku më i madh nuk është t’u jepet shans të rinjve. Rreziku më i madh është të vazhdojmë pa ta”, porosit Velkovski, duke e përfunduar postimin me hashtagun #NDALIMIPËRMIGRIMIT.