Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance tha sot se në negociatat me Iranin në Burgenstock të Zvicrës kanë bërë përparim të rëndësishëm, duke shtuar se palët kanë hedhur “bazë shumë të mirë” për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, transmeton Anadolu.
“Dje ishte një ditë shumë, shumë e mirë. Ne bëmë përparim shumë të mirë”, u tha Vance gazetarëve pas bisedimeve që përfshinin zyrtarë amerikanë dhe iranianë, së bashku me ndërmjetësit nga Katari dhe Pakistani.
Ai tha se diskutimet arritën disa objektiva kyçe, përfshirë krijimin e mekanizmave për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe një mekanizëm për shmangien e konflikteve midis Izraelit dhe Libanit. “Marrëveshja synon të sigurojë që kur gjërat të ndodhin, palët në të vërtetë të bisedojnë me njëra-tjetrën” dhe të parandalohet që tensionet të shkojnë në një përshkallëzim më të gjerë rajonal”, tha ai.
Vance njoftoi gjithashtu atë që ai e përshkroi si një përparim të madh në dosjen bërthamore.
“Iranianët kanë rënë dakord të ftojnë inspektorët e IAEA-së (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike) të kthehen në vendin e tyre. Ky është një moment historik i madh për popullin amerikan dhe hapi i parë në denuklearizimin e përhershëm ose përfundimin e përhershëm të një programi të armëve bërthamore në Iran”, tha ai.
Zv/presidenti amerikan tha se negociatorët e SHBA-së, Iranit, Katarit dhe Pakistanit kanë rënë dakord për një kornizë për angazhim të vazhdueshëm. “Ekipet tona, duke punuar me negociatorët nga Irani, Katari dhe Pakistani, bënë përparim të madh dje”, tha ai.
“Ata do të vazhdojnë të punojnë në nivelin teknik me ekipet këtu në Burgenstock. Këto negociata teknike do të vazhdojnë gjatë javëve dhe ditëve në vijim”, shtoi ai.
Vance tha se bisedimet kanë krijuar strukturë që do të lejojë diskutimet teknike të vazhdojnë nën mbikëqyrjen politike ndërsa negociatorët punojnë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
“Ne hodhëm bazë shumë të mirë për një marrëveshje përfundimtare të suksesshme. Marrëveshja përfundimtare është shtëpia. Ne kemi vendosur themelet. Ne nuk e kemi ndërtuar shtëpinë, por kemi hedhur një themel të suksesshëm”, tha ai.
Vance hodhi poshtë shqetësimet se bisedimet janë prishur, duke thënë se negociatat vazhduan “pas orës 1 të mëngjesit” pavarësisht raporteve se Irani mund të largohej nga bisedimet.