Urim Saliu

Ndoshta tingëllon e pazakontë, por po e them hapur se nëse një ditë arrijmë në përfundimin se partitë shqiptare nuk janë më në gjendje të sigurojnë as minimumin e të drejtave tona, atëherë pse të mos mendojmë edhe për një pakt të drejtpërdrejtë qytetar me partinë maqedonase që drejton shtetin?
Asnjë parti shqiptare nuk ka qenë dhe nuk do të jetë më e fuqishme se partia maqedonase që ka timonin e qeverisë. Kjo është një realitet politik që duhet pranuar. Prandaj, ndoshta vjen dita kur duhet t’i themi hapur Hristijan Mickoskit, ne japim votën tonë, ju garantoni të drejtat tona.Sa ta bëjnë këtë partitë që ne prej vitesh I votojmë dhe ata tallen me ne, ta provojmë variantin e fundit , po të fundit që na ka mbetur.
Le të jetë një marrëveshje e qartë para qytetarëve pa poste, pa tenderë, dhe pa privilegje për individë. Vetëm të drejta konkrete, barazi reale dhe respekt për shqiptarët.
Nëse dikush arrin t’i zgjidhë problemet që politika shqiptare nuk po arrin t’i zgjidhë prej dekadash, atëherë kjo duhet pranuar pa paragjykime. Madje, nëse një ditë do të realizoheshin kërkesat themelore të shqiptarëve, nuk do ta kisha problem të mbështesja që një rrugë apo shesh në Tetovë të mbante emrin e atij që i realizoi.
E them këtë me keqardhje, sepse nuk është normale që një popull të humbasë besimin te përfaqësuesit e vet. Por sot po e shohim se shumë politikanë shqiptarë shkojnë e vijnë në qeveri, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të largohen nga vendi. Fshatrat dhe qytetet po zbrazen, rinia po ikën, ndërsa ne vazhdojmë të dëgjojmë të njëjtat fraza që janë si kënga e mjelmës që para se të vdes e këndon melodinë e fundit të jetës.
Ndoshta problemi nuk është më te pala tjetër. Ndoshta duhet ta pranojmë se politika shqiptare ka hyrë në një krizë të thellë përfaqësimi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume