Teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 23-të, grupi organizator ka dalë me një deklaratë të përbashkët, ku ka bërë publike pesë kërkesat kryesore të lëvizjes.

Deklarata u lexua nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili tha se ishte autorizuar nga grupi koordinues i protestës për të folur në emër të organizatorëve dhe protestuesve.

Duke iu drejtuar të pranishmëve dhe qytetarëve dhe mbështetësve, Goxhaj deklaroi se grupi koordinues, pas dëgjimit të propozimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve gjatë 22 ditëve të protestës, ka hartuar një deklaratë për të sqaruar qëllimet dhe kërkesat e lëvizjes.

Në këtë kuadër, grupi organizator ka bërë publike kërkesat e plota drejtuar qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, duke paraqitur pesë pikat kryesore që, sipas tyre, përfaqësojnë qëndrimin dhe objektivat e protestës.

Deklaratë e Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së

“Përshëndetje bashkëkombas, bashkëqytetarë dhe bashkëprotestues. Për të gjithë ju, sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës të lexoj një deklaratë në emër të tyre.

Në emër të grupit koordinues të protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit, si gjithë bashkëkombasit tanë, qofshin ata të pranishëm fizikisht apo ata që na mbështesin me zemër dhe me mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:

• Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

• Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

• Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht, kërkojmë:

• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

• Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

• Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

5. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe nga vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre. Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve”, tha Goxhaj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume