Në shënimin e Ditës së Administratës Publike, të mbajtur nën moton “Besim, integritet dhe rezultate: themelet e një administrate moderne dhe evropiane”, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, theksoi se reforma e administratës publike nuk është vetëm një obligim evropian, por një investim thelbësor në institucionet, njerëzit dhe të ardhmen e shtetit informon Tetovasot.

Në aktivitet morën pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe shefi për bashkëpunim i Delegacionit të Bashkimi Evropian, Steffen Hudolin.

“Nuk ka Maqedoni moderne pa administratë moderne. Nuk ka institucione të forta pa nëpunës publikë profesionistë dhe të përkushtuar. Nuk ka besim të qytetarëve pa administratë efikase dhe llogaridhënëse”, deklaroi Minçev.

Ai nënvizoi se gjatë vitit të kaluar reformat kanë marrë formë konkrete përmes kornizës së re ligjore për nëpunësit administrativë, themelimit të Këshillit për Reformën e Administratës Publike dhe nisjes së procedurave për krijimin e Akademisë së Administratës Publike.

Duke folur për investimet në kapitalin njerëzor, ministri tha se janë nënshkruar marrëveshje kolektive për më shumë se 11.000 të punësuar në sektorin publik, me të cilat parashihet rritje historike e pagave prej 40 për qind gjatë tre viteve të ardhshme, si dhe përmirësim i kushteve të punës.

“Nuk mund të kërkojmë profesionalizëm nëse nuk tregojmë respekt ndaj profesionistëve. Nuk mund të kërkojmë përgjegjësi nëse nuk krijojmë kushte për punë dinjitoze. Nuk mund të kërkojmë rezultate nëse nuk investojmë tek njerëzit që i krijojnë ato”, tha Minçev.

Sipas tij, periudha e ardhshme do të karakterizohet nga reforma të reja për forcimin e profesionalizmit, integritetit dhe efikasitetit të institucioneve, përmes Ligjit për Drejtuesit e Lartë dhe Ligjit të ri për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore.

Minçev theksoi se integrimi evropian fillon pikërisht në institucione dhe në aftësinë e tyre për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët.

“Besimi në institucione nuk fitohet automatikisht, ai duhet merituar. Ndërtohet çdo ditë përmes profesionalizmit, integritetit dhe rezultateve që qytetarët mund t’i njohin dhe t’i ndiejnë”, deklaroi ministri.

Në kuadër të aktivitetit u ndanë edhe mirënjohje për menaxhim të cilësisë në sektorin publik. Vendin e parë e fitoi Ministria e Transformimit Digjital, vendin e dytë Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, ndërsa vendin e tretë Instituti për Akreditim.

Me rastin e Ditës së Administratës Publike, Ministria e Administratës Publike uroi të gjithë nëpunësit administrativë dhe të punësuarit në sektorin publik për kontributin e tyre në funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.Tetovasot

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume