Një nga aleatët më të afërt politikë të Donald Trumpit ka shpjeguar pse presidenti amerikan ka munguar në ndeshjet e Kupës së Botës.
Kupa e Botës 2026 është pothuajse dy javë në zhvillim, me disa skuadra që kanë luajtur tashmë dy ndeshje në grupe.
Haiti, Turqia, Tunizia dhe Jordania janë eliminuar, ndërsa bashkë-organizatorët Meksika dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe Gjermania, Franca, Norvegjia dhe Argjentina kanë siguruar kualifikimin për në raundin e 32-shes.
Skuadra e Mauricio Pochettinos ka qenë një nga më të dalluarat deri tani, duke mposhtur Paraguain 4-1 në ndeshjen hapëse dhe më pas duke fituar 2-0 ndaj Australisë.
Pavarësisht se shumë të famshëm dhe sportistë, përfshirë Trinity Rodman, Ciara, Marshawn Lynch dhe Robert F. Kennedy Jr, janë parë në stadiumin e Seattleit, Donald Trumpi nuk ishte i pranishëm në ndeshje dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë takim tjetër deri tani.
Para turneut, disa vendime të administratës Trump, përfshirë ndalimet e udhëtimit dhe tensionet me Iranin, kanë shkaktuar shqetësim mes tifozëve, ndërsa presidenti i FIFA-s Gianni Infantino është parë shpesh me të.
Megjithatë, pavarësisht kontaktit të rregullt mes tyre, të dy nuk janë fotografuar së bashku gjatë turneut.
Sipas “The Telegraph”, Andrew Giuliani, kreu i task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, tha se presidenti po e shijon diskutimin për mungesën e tij, duke thënë: “I pëlqen një cliffhanger i mirë, apo jo?”.
Raportohet se Donald Trump ka gjasa të mos shfaqet në turne deri në finalen e 19 korrikut në New York/New Jersey.
Megjithatë, ai mund të marrë pjesë më herët nëse Shtetet e Bashkuara arrijnë në gjysmëfinale, e cila do të luhet në Dallas më 14 korrik.
“Presidenti është i përqendruar te festimet e 4 korrikut. Kupa e Botës nuk është në fokusin e tij për momentin,” tha një burim për “Sport Bible”.
“Ai do ta prezantojë trofeun në finale, por nuk besoj se do ta shohim para kësaj. Mund të shkojë në gjysmëfinale, por vetëm nëse SHBA arrin deri aty”, thuhet tutje.
Trump gjithashtu ka qenë i angazhuar me çështje globale si përpjekjet për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit, ka udhëtuar në Francë për samitin e G7 dhe ka festuar ditëlindjen e tij të 80-të, si dhe ka organizuar UFC Freedom 250 në Shtëpinë e Bardhë.
Kur u pyet më tej, Giuliani tha se Trump “i pëlqen cliffhanger-at” dhe se publiku duhet të “vazhdojë të ndjekë zhvillimet”, duke shtuar se presidenti i FIFA-s dhe Trump kanë një marrëdhënie të mirë dhe kanë folur së fundmi për turneun.