Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka marrë vendim me të cilin konfirmon se institucionet e Maqedonisë kishin të drejtë të shfuqizonin faljet që në vitin 2016 i dha ish-presidenti Gjorgje Ivanov personave të përfshirë në hetimet e ish-Prokurorisë Speciale.
Sipas vendimit të publikuar sot, gjykata ka konstatuar njëzëri se nuk është shkelur e drejta për gjykim të drejtë e aplikuesve, pavarësisht ndryshimeve ligjore që mundësuan tërheqjen e faljeve presidenciale dhe vazhdimin e procedurave penale. Në arsyetimin e vendimit thuhet se shteti kishte të drejtë legjitime të ndërhynte dhe të anulonte abolicionet, duke pasur parasysh se ato ishin dhënë në kushte krize të thellë politike dhe pa bazë të duhur ligjore.
“Nuk ka pasur shkelje të nenit 6 paragrafi 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ka të bëjë me të drejtën për gjykim të drejtë, për shkak të ndërhyrjes ligjore me të cilën u mundësua anulimi i faljeve presidenciale dhe vazhdimi i procedurave penale,” thuhet në vendimin e Gjykatës.
Rasti lidhet me vendimin kontrovers të Ivanovit të 12 prillit 2016, kur u nënshkruan mbi 100 vendime për falje të politikanëve dhe funksionarëve që ishin objekt i hetimeve të ish-Prokurorisë Speciale. Vendimi atëherë shkaktoi reagime të forta në opinion dhe protesta masive, pas të cilave një pjesë e faljeve u tërhoqën, ndërsa më vonë u shfuqizuan ligjërisht.
Me vendimin më të ri nga Strasburgu, Gjykata Evropiane praktikisht konfirmoi se anulimi i abolicioneve ishte në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe nuk përbënte shkelje të të drejtave themelore të njeriut të personave të përfshirë në procedurat.