(VIDEO) Infermierja Stefani Stolevska: Të gjithë jemi pacientë të mundshëm, por edhe dhurues të mundshëm të jetës, prandaj le të themi “po” dhurimit të organeve
Infermierja Stefani Stolevska nga Klinika e Anestezisë, Reanimacionit dhe Mjekimit Intensiv (KARIL), në një video-mesazh, në kuadër të fushatës kombëtare për rritjen e ndërgjegjësimit mbi dhurimin e organeve dhe transplantimin, rikujton edhe një herë rëndësinë e dhurimit të organeve, humanizmin, solidaritetin dhe çdo vendim të marrë me qëllim të mirë, për shpëtimin e pacientëve.
“Si infermiere anesteziste dhe pjesë e ekipit për transplantimin e organeve, fillimisht do të doja të shpreh një mirënjohje të thellë për familjet e pacientëve që ndodhen në një moment shumë të vështirë kur duhet të marrin vendimin për dhurimin e organeve. Në atë çast ata përballen me një situatë tepër të rëndë, por njëkohësisht kontribuojnë që jeta e dikujt tjetër të vazhdojë. Dua t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve në vendin tonë që sa më shpesh të mbështesin dhurimin e organeve, sepse të gjithë jemi pacientë të mundshëm dhe donatorë të mundshëm, kurrë nuk e dimë se çfarë mund të sjellë e ardhmja”, thekson Stolevska.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, thekson se me këtë video vazhdohet fushata “Dhurimi i organeve i jep kuptim më të lartë humanizmit!”, me qëllim forcimin e ndërgjegjësimit publik, besimit dhe gatishmërisë për të biseduar mbi këtë temë.
“Transplantimet e fundit të zemrës dhe veshkës na kujtuan edhe një herë se pas çdo jete të shpëtuar nuk qëndron vetëm ekspertiza mjekësore, por edhe një vendim thellësisht human. Mesazhi më i fuqishëm sot vjen nga mjekët, sepse ata çdo ditë shohin si dhimbjen e familjeve, ashtu edhe shpresën e pacientëve që presin transplantim”, porosit ministri Aliu.
https://mail.google.com/mail/u/0/#inbox/FMfcgzQgMVmrLCkpTMNNwLmVLVKkjhxD?projector=1