I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit është një zotim ndërkombëtar, edhe pse ajo nuk është nënshkruar nga palët.

Këto komente, Sorensen i ka bërë gjatë një diskutimi në Forumin e Dubrovnikut të shtunën, ku sipas tij, kjo marrëveshje ka nisur të zbatohet në disa pjesë.

“Tani, fakti që ajo mund të mos jetë saktësisht ashtu siç e kanë paraqitur disa politikanë, dëshmohet edhe nga fakti se zbatimi ka nisur në disa pjesë, veçanërisht sa i përket çështjes së personave të zhdukur. Por, ka edhe çështje të tjera që kanë mbetur të pazbatuara”, ka deklaruar ai.

Ndërmjetësuesi evropian ka përmendur edhe jurisprudencën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila sipas tij, është shumë e qartë për vlefshmërinë e marrëveshjes së Ohrit.

“Nuk ju nevojitet një nënshkrim që një marrëveshje ndërkombëtare, e arritur mes palëve, të jetë e vlefshme. E vetmja situatë ku kjo mund të ngrejë pikëpyetje është nëse në dhomë janë vetëm dy palë. Por dialogu kishte tre palë në dhomë. Ne ishim aty kur marrëveshja u arrit. Ne e mirëpritëm atë në momentin kur u arrit. Dhe ajo që ka ndodhur më pas – ju thatë se ia bëtë këtë pyetje Miroslavit (Lajçak) – është se ne, në përfundimet e përsëritura të Këshillit, i jemi referuar vazhdimisht kësaj marrëveshjeje. Natyrisht, kur mora detyrën, kjo ishte gjëja e parë që verifikova: cili është statusi i marrëveshjes që ishte arritur”, ka deklaruar Sorensen.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume