Urim Saliu Tetovasot

Sot dielli lindi si çdo mëngjes tjetër. Njerëzit dolën në rrugë. Redaksitë u zgjuan me ritmin e zakonshëm të lajmeve, me telefonat që bien pa pushim, me afatet që nuk presin askënd.
Vetëm ne, gazetarët, e ndiejmë se diçka mungon.
Nijazi Muhamedi nuk është më.
Dhe me largimin e tij, gazetaria dhe publicistika shqiptare humbën një zë kritik, një mendje të rafinuar, një publicist me kulturë të gjerë dhe një njeri që e donte fjalën e shkruar po aq sa e respektonte të vërtetën.
Për shumëkënd ai ishte gazetar.Për mua ishte shumë më tepër.Ishte një nga njerëzit që më orientuan në fillimet e gazetarisë.
Kam pasur fatin e madh të punoj me të në disa redaksi. Mbi të gjitha, në revistën politike javore “Epoka e Re”, një revistë që edhe sot, pas kaq vitesh, i mungon gazetarisë shqiptare. Ishte një shkollë mendimi, një vend ku gazetaria nuk matej me klikime, por me argument, analizë dhe përgjegjësi.
Aty e njoha më mirë Nijaziun.Nuk ishte njeri që fliste shumë për veten.Fliste për profesionin.
Fliste për përgjegjësinë.Fliste për të vërtetën.Dhe, mbi të gjitha, fliste për njeriun.
Në një kohë kur shumëkush e sheh suksesin e kolegut si humbjen e vet, Nijaziu ishte krejt ndryshe.Kur shkruaje një tekst të mirë, ai nuk kursente asnjëherë fjalët.”Ke qenë brilant.”
Ta thoshte me buzëqeshje.Pa zili.Pa xhelozi.
Ai e kuptonte se gazetaria fitohet vetëm kur të gjithë rriten bashkë.
Po aq i sinqertë ishte edhe kur shihte boshllëqe në një shkrim.Nuk të nënçmonte.Nuk të ironizonte.Nuk të shkatërronte vetëbesimin.
Me qetësi të tregonte se çfarë mungonte, pse mungonte dhe si mund të bëhej më mirë.
Kritika e tij nuk ishte për të të ulur.Ishte për të të ngritur.Sot e kuptoj se sa e rrallë është kjo.
Sa të rrallë janë njerëzit që të ndihmojnë të bëhesh më i mirë, pa pasur frikë se një ditë mund t’i tejkalosh.Më kujtohet redaksia jonë.Në tavolinat e mbushura me gazeta, libra dhe dorëshkrime.Në ajrin e rënduar nga tymi i cigareve.Nijaziu ndizte një cigare pas tjetrës.
Nuk ishte thjesht një zakon.Ishte pesha e profesionit.Një ditë, duke buzëqeshur, na tha:
“Vetëm ai që e ka provuar një herë tensionin e gazetarisë e kupton. Është si të shikosh në humnerë. Sytë nuk arrijnë të largohen më prej saj.”
Sa e vërtetë ishte.Sepse gazetaria ka një presion që nuk shihet.Ka një nxitim që nuk fotografohet.
Ka net pa gjumë.Ka beteja me ndërgjegjen.Ka momente kur duhet të zgjedhësh mes komoditetit dhe së vërtetës.Dhe ai na paralajmëronte për këtë.Na thoshte se në jetën e çdo gazetari vjen gjithmonë një çast kur mendon të heqë dorë.Kur lodhet.Kur zhgënjehet.Kur mendon se nuk ia vlen më.
Por pastaj ngrinte kokën dhe thoshte:”Atë moment duhet ta mposhtësh.”
“Gazetaria gjithmonë të jep një shans të fundit për të hequr dorë. Pikërisht atë shans nuk duhet ta pranosh.””Duhet të vazhdosh.”Ishin fjalë të thjeshta.Por sot tingëllojnë si një testament profesional.
Ai na mësonte se do të vinte dita kur dikush do të të kërkonte të shkruaje atë që nuk e besoje.
Kur dikush do të të kërkonte të heshtje.Kur dikush do të të kërkonte të ndryshoje të vërtetën.
Dhe pikërisht atëherë, thoshte ai, fillon beteja e vërtetë e gazetarit.”Ndoshta do të përballesh me situata që do të të detyrojnë të bësh atë që nuk e do. Edhe këtë duhet ta mposhtësh.””Vetëm kështu mbetesh njeri i lirë.”Sepse për të gazetaria nuk ishte zanat.Ishte mision.
“Thuaje atë që e do e vërteta.””Do të krijosh shumë njerëz që nuk do ta duan të vërtetën që the.”
“Por gazetaria pikërisht këtë mision ka.”
Dhe pastaj vinte ajo fjali që nuk do ta harroj kurrë:
“Zotit i intereson ajo që ke në zemër.” “Thuaje atë të vërtetë me të cilën je betuar se nuk do të largohesh kurrë prej saj.””Vetëm atëherë do të bëhesh një ditë gazetar i mirë.”
“Ajo që vjen më pas, rrallëherë është e mirë.”
Sot, kur ai nuk është më, ato fjalë marrin një kuptim edhe më të madh.
Sepse njerëzit largohen.Por mendimet e tyre mbeten.Këshillat e tyre mbeten.
Shkolla që kanë krijuar mbetet.
Nijazi Muhamedi nuk la pas vetëm artikuj, analiza dhe libra.Ai la pas gazetarë.
La pas një mënyrë të të menduarit.La pas bindjen se gazetaria nuk është pronë e pushtetit, por shërbim ndaj së vërtetës.
Ai ishte një mbështetës i madh i shumë gazetarëve të rinj.Na dha besim kur kishim nevojë.Na kritikoi kur duhej.Na vlerësoi kur e meritonim.Pa interes.Pa llogari.Pa pritur asgjë në këmbim.
Sot redaksitë do të vazhdojnë të prodhojnë lajme.Do të shkruhen mijëra tituj të rinj.Do të botohen mijëra analiza.Por një zë kritik do të mungojë.Një mendje e rafinuar do të mungojë.
Një njeri që dinte të ndërtonte gazetarë, më shumë sesa karrierë për veten, nuk është më.Natyra nuk e vëren trishtimin.Por ne po.Sepse disa njerëz nuk zëvendësohen.Ata mbeten pjesë e ndërgjegjes së një profesioni.Faleminderit, Nijazi.Për gjithçka që na mësove.Për mbështetjen.Për sinqeritetin.Për guximin.Për besimin se e vërteta nuk negociohet.
U prefsh në paqe.
Gazetaria shqiptare sot është më e varfër.
Ndërsa ne, që patëm fatin të punonim pranë teje, mbetemi më të pasur nga kujtimet dhe mësimet që na le.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume