Taravari: Konsensusi për ndryshimet kushtetuese duhet të vijë nga faktori politik maqedonas, shqiptarët janë pro (VIDEO)
Në një intervistë për PressOnline.al, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, flet për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, ndryshimet kushtetuese, nevojën për një marrëveshje të re politike, rolin e shqiptarëve në zhvillimet shtetërore, si dhe për të ardhmen e Aleancës për Shqiptarët pas zhvillimeve të fundit në skenën politike.
PressOnline.al: Z. Taravari, a mendoni se ndryshimet kushtetuese janë ende rruga e vetme për avancimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut?
Arben Taravari: Eksponent të lartë të Bashkimit Europian dhe çdo anëtare e Bashkimit Evropian kur vijnë këtu në Maqedoni e dërgojnë një porosi të vetme se Maqedonia për t’i filluar oficialisht negociatat me Bashkimin Evropian që nënkupton edhe për t’i përfunduar, kusht i domosdoshëm janë ndryshimet kushtetuese. Kështu që nuk ka opcion apo variant tjetër për t’i filluar negociatat. Kjo që e kërkon Kryeministri një farë garance unë i kuptoj plotësisht, por në fund të ditës duhet ta kuptojmë se nëse duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, ne domosdosmërisht duhet t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese kështu që nuk shoh opcion tjetër, nuk shoh variant tjetër dhe patjetër t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese sa më shpejtë dhe t’i fillojmë negociatat. Në ndërkohë i kuptojmë, le të ketë njëfarë garance, le të thotë dikush diçka edhe pse asnjëherë nuk ka garancë 100%, por ja në qoftë se duan të sigurojnë, partitë politike shqiptare absolutisht duhet të jemi pro asaj dhe jemi, nuk shoh parti politike shqiptare në Maqedoni që nuk është për fillimin e negociatave dhe me atë automatikisht edhe për ndryshimet kushtetuese.
PressOnline.al: A ka nevojë Maqedonia e Veriut për një konsensus të ri politik për rrugën drejt BE-së?
Arben Taravari: Absolut që po, jo partitë politike në Maqedoni, por partitë politike maqedonase duhet të pastrojnë me vetveten, duhet të ulen dhe të merren vesh mes vete, çfarë duan, si duan, çfarë duhet të kërkojnë prej faktorit ndërkombëtar se shqiptarët aty janë, unë nuk di parti politike shqiptare që nuk është për rrugën evropiane të Maqedonisë, sëpaku deklarativisht. Mund që edhe dikush prej atyre nuk mendojnë ashtu, por sëpaku deklarativisht të gjitha partitë politike shqiptare, kështu që unë mendoj se konsensusi duhet të gjindet brenda faktorit politik maqedonas. Kur të gjindet atje konsesusi, kur të vendoset, shqiptarët padyshim aty janë për t’i filluar negociatat dhe për t’i mbaruar sa më shpejt.
PressOnline.al: A janë shqiptarët faktor kyç në përshpejtimin e rrugës evropiane të vendit?
Arben Taravari: Definitivisht po, në të gjitha momentet e vështira për shtetin maqedonas, shqiptarët mendoj se kanë qenë faktori më konstruktiv, dmth çdoherë kur i është dashur Maqedonisë që të ketë stabilitet, shqiptarët kanë qenë aty. E keni parasysh, pikësëpari mendoj NATO-n, sepse dy pikat kyçe të këtij shteti prej kur është formësuar kanë qenë objektivat e Maqedonisë, anëtarësimi në NATO dhe anëtarësimi në BE. Ju e keni parasysh se edhe për anëtarësimin në NATO, shqiptarët kanë qenë ato që e kanë ndihmuar këtë proces, edhe pse në atë kohë VMRO-ja ishte opozitë dhe ç’mos thoshte, por unë gëzohem sot kur e dëgjoj Mickoskin dhe shokët e tij kur thonë se mirë që jemi anëtarë të NATO-s dhe e pranojmë Marrëveshjen e Prespës, mos e harrojmë se para gjashtë, shtatë vitesh ishin kritikues të mëdhenj të Marrëveshjes së Prespës dhe jam shumë i lumtur kur e dëgjoj ashtu dhe besoj se edhe për Bashkimin Evropian, pra për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, për t’i mbuluar, për t’i përfunduar dy objektivat kryesore të këtij shteti është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe shqiptarët domosdosmërisht duhet të jenë akselerues, por edhe fascilitues që ky proces të mbaron sa më shpejt sepse po e përsëris se di sa herë se Maqedonia domosdoshmërisht sëbashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi, si dhe me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor duhet sa më shpejtë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian.
PressOnline.al: A mendoni se Maqedonia e Veriut ka nevojë për një marrëveshje të re politike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, dhe a e ka përmbushur Marrëveshja e Ohrit misionin e saj?
Arben Taravari: Fatkeqësisht Marrëveshja e Ohrit jo që se ka përmbushur, të them kështu, atë që është dashur ta bëjë sepse duheshte të mbaronte në vitin 2006, tash jemi 2026-ta edhe Marrëveshja e Ohrit ka rënë total. Katër shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit ishin: përdorimi i gjuhës shqipe, sot margjinalizohet totalisht, e para, e dyta ishte përfaqësimi i drejtë dhe adekuat që sot kemi një ligj me të cilin aspak nuk garantohet përfaqësimi sidomos adekuat dua të them për krejt. Shtylla kyçe e tretë e Marrëveshjes së Ohrit ishte decentralizimi fiskal, jemi shumë shumë larg asaj që ishin pretendimet, kështu që unë mendoj se dy etnive kryesore në Maqedoni, a dy etnitë kryesore janë shqiptarët dhe maqedonasit, duhet seriozisht të mendojnë dhe të ulen të bëjnë një marrëveshje të re politike, me të cilën do të mendoheshte seriozisht për zhvillimin ekonomik të shtetit, anëtarësimin e shtetit në Bashkimin Evropian dhe mbarëvajtjen e të gjitha them kështu proceseve në shtet dhe kjo jo që është e nevojshme, por është e domosdoshme dhe normalisht unë besoj që më të dy etnitë dhe partitë politike përfaqësuese të dy etnive janë mjaft të pjekura dhe nuk na duhen fascilitues, mendoj se mundemi vetë të ulemi, ta bëjmë një strategji dhe ta dijmë ku shkojmë, ku përfundojmë dhe si mund të zhvillohet ky shtet sepse e kemi të rëndësishme të gjithë që jetojmë këtu. Maqedonasit duhet ta kuptojnë se, dhe besoj se e kanë kuptuar shumica e tyre se shqiptarët janë faktori kryesor stabilizues dhe faktori kryesor që i ka ndihmuar shtetit t’i tejkalojë të gjitha krizat dhe faktori të them kështu që e do këtë shtet, po aq sa e duan maqedonasit, mund të them pak më shumë se sa duan ata.
PressOnline.al: Z. Taravari, pas zhvillimeve të fundit në kampin politik shqiptar, cili është vizioni juaj për të ardhmen e Aleancës për Shqiptarët?
Arben Taravari: Aleanca për Shqiptarët është parti politike tashmë dhjetëvjeçare, e cila doli prej Partisë Demokratike Shqiptare e cila tash mund të themi se nuk ka potencë politike dhe prej të djathtës shqiptare, Aleanca për Shqiptarët është partia më e organizuar. E vërtetë që kaloi një periudhë të krizave të njëpasnjëshme, por përsëri në bazë të gjitha anketave dhe analizave që bëhen, potenciali i të djathtës shqiptare përsëri shihet te Aleanca për Shqiptarët. Ne intenzivisht jemi duke punuar në terren, tash me zhvillimet e fundit në Qeveri ku ato të Aleancës që janë aty u anashkaluan totalisht, ne përsëri ja e shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë ata të zhgënjyer të Aleancës për Shqiptarët që e kanë votuar VLEN-in dhe për një moment kanë pritur një punësim ose një avancim, që dalëngadalë t’i kthehen shtëpisë së tyre sepse askund nuk do të jenë të rehatshëm sikur në Aleancën për Shqiptarët. (K.A/PressOnline.al)
Intervista e plotë: