Në mbështjellëset prej letre alumini ku ishin fshehur 350 mijë euro janë gjetur gjurmë biologjike të Gjoko Ristovit, gjyqtarit të Apelit i akuzuar për fshehje pasurie dhe pastrim parash. Këtë e dëshmuan ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë seancës gjyqësore.

Paratë u zbuluan të fshehura brenda murit të kuzhinës në shtëpinë e prindërve të Ristovit në Negotinë. Bëhet fjalë për 600 kartëmonedha me prerje prej 500 dhe 200 eurosh.

Ekspertët sqaruan se nga 13 mostra të marra, vetëm dy ishin të përshtatshme për analizë. ADN-ja u krahasua me atë të Gjoko Ristovit dhe prindërve të tij. Sipas rezultateve, gjurmët biologjike i përkisnin Ristovit dhe një personi tjetër të panjohur, i cili nuk ka lidhje gjaku me të.

Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva deklaroi se rezultatet e ekspertizës e konfirmojnë qartë versionin e Prokurorisë dhe shpjegojnë mënyrën se si është kryer analiza e ADN-së.

Nga ana tjetër, mbrojtja kundërshtoi vlefshmërinë e provave, duke pretenduar se mbështjellëset prej alumini nuk janë ruajtur sipas procedurës dhe se nuk është kryer ekspertizë mbi vetë paratë.

Avokati Zvonko Davidoviq ngriti dyshime për mënyrën e trajtimit të provave, duke theksuar se paratë janë dorëzuar në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe se ekspertiza është urdhëruar rreth 80 ditë më vonë. Ai pyeti pse janë analizuar vetëm copat e letrës së aluminit dhe jo kartëmonedhat, megjithëse bëhet fjalë për 350 mijë euro të gjetura të fshehura në mur.

Prokurorja Haxhi Vasileva i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si përpjekje për zvarritjen e procedurës. Ajo theksoi se gjurmët biologjike të gjetura në material ekzistojnë pavarësisht mundësisë së kontaminimit dhe se në këtë rast ato i përkasin të akuzuarit Gjoko Ristov.

Seanca e radhës është caktuar për 14 korrik, kur pritet të dëshmojë edhe një ekspert tjetër i MPB-së, ndërsa do të vazhdojë edhe paraqitja e provave nga Prokuroria.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume