Kryeministri Hristijan Mickoski, sonte në intervistën “Tema e Ditës” në televizionin Sitel, theksoi se nuk ka ambicie të kandidojë për President të shtetit, por se, si kryetar i VMRO-DPMNE-së, do të udhëheq edhe një fitore të madhe ndaj LSDM-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Kur ta përfundoj këtë pjesë të jetës sime si kryeministër, do t’i kthehem fakultetit dhe studentëve. Unë kurrë nuk kam thënë se kur do të ndodhë kjo, nëse pas një, pesë apo dhjetë vitesh. Ata që janë të frikësuar nga unë dhe që vazhdimisht i shoh se ma parashikojnë fundin, do të duhet të përpiqen pak më shumë që ai të vijë më shpejt, ndërsa unë, nga ana tjetër, do të përpiqem edhe më shumë që kjo të zgjasë më gjatë. Çfarë nënkupton kjo? Kjo nënkupton se planifikoj, si kryetar i VMRO-DPMNE-së, të udhëheq drejt edhe një fitoreje të madhe parlamentare, në të cilën do të isha i kënaqur nëse arrijmë ta përmirësojmë rezultatin që e kemi arritur para më shumë se dy vitesh. Kam ende shumë punë për të bërë për qytetarët dhe për shtetin, sepse nga ky rol mund ta shoh qartë se çfarë është bërë gabim gjatë dekadave të kaluara. Qytetarët meritojnë më mirë. Jam i motivuar dhe punoj më shumë se kurrë në jetën time. Përpiqem të ndihmoj secilin që kam mundësi ta ndihmoj, sepse nuk jam mrekullibërës dhe nuk mund t’i ndihmoj të gjithë e të bëj mrekulli. Por, brenda mundësive të mia, gjithmonë përpiqem të ndihmoj dhe, natyrisht, ta realizoj atë që qytetarët presin nga unë, pra ta zbatoj drejtësinë në kuadër të kompetencave të mia si kryetar i qeverisë. Prandaj, edhe një herë e konfirmoj se nuk kam ambicie të jem kandidat për president”, potencoi Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume