Eliminimi i Brazilit nga Kampionati Botëror pas humbjes 2:1 ndaj Norvegjisë në të tetën e finales la pasoja të rënda te futbollistët brazilianë, ndërsa më i prekur ishte ylli i ekipit, Neymar.

Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, kamerat televizive fokusuan Neymarin, i cili nuk mundi t’i përmbante lotët.

Sulmuesi brazilian mbeti i ulur në fushë, i dërrmuar emocionalisht, ndërsa shokët e skuadrës u përpoqën ta ngushëllonin, por pa sukses.

Neymari e nisi ndeshjen nga stoli dhe u aktivizua në pjesën e dytë me shpresën se do ta ndihmonte Brazilin të shmangte eliminimin. Ai arriti të shënonte vetëm në kohën shtesë nga pika e bardhë, duke ngushtuar rezultatin në 2:1, por koha nuk mjaftoi për rikthimin e brazilianëve.

Norvegjia siguroi kualifikimin në çerekfinale falë dy golave të Erling Haalandit në minutat 79 dhe 90, ndërsa Brazili i dha fund rrugëtimit në Botëror.

Për Neymarin ky është një tjetër zhgënjim i madh me fanellën e përfaqësueses.

Edhe pse është golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me 80 gola, ai ende nuk ka arritur të fitojë një trofe të madh me kombëtaren.

Në moshën 34-vjeçare dhe pas problemeve të shumta me lëndimet në vitet e fundit, shtrohet gjithnjë e më shumë pyetja nëse kjo ishte paraqitja e fundit e Neymarit në një Kampionat Botëror.

Nëse vendos t’i japë fund karrierës me kombëtaren, ai mund të largohet pa e realizuar ëndrrën e fitimit të Kupës së Botës apo të Kupës së Amerikës.