Një grua 46-vjeçare ka vdekur të shtunën në Shtime, pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga kati i tretë i një ndërtese.
Lajmin e ka konfirmuar për Reporteri.net Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 5 korrik 2026, rreth orës 18:50, kur autoritetet kanë pranuar informacion se një grua kishte rënë nga kati i tretë i një objekti në rrugën “12 Qershori” në Shtime.
“Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur të lënduarën. Më pas ka ndërhyrë edhe ekipi i Emergjencës së Shtimes, i cili e ka transportuar për trajtim mjekësor në QKMF-Shtime. Rreth orës 19:20, Policia është njoftuar se 46-vjeçarja kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori i shtetit, hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët kanë kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes”.
“Sipas hetimeve të para, dyshohet se viktima ka rënë aksidentalisht së bashku me shtyllat metalike (gilinderat). Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, ka deklaruar Veseli.