Aleksandar Vuçiq deklaroi se nuk pret që ndonjë shtet i Ballkanit Perëndimor të bëhet anëtar i Bashkimi Evropian në një të ardhme të afërt.

Duke folur në hapjen e Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, që u mbajt në Beograd, Vuçiq vlerësoi se Bashkimi Evropian në vitet e ardhshme nuk do të marrë vendime për zgjerim të ri.

“Nuk mendoj se BE-ja në disa vitet e ardhshme do të jetë në gjendje të marrë vendime për zgjerim, por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të vazhdojmë me reformat dhe rrugën evropiane”, deklaroi Vuçiq.

Ai shtoi se, sipas tij, do të ishte “e pakuptimtë” që Serbia të bëhej anëtare e Bashkimit Evropian nëse më parë këtë nuk e arrijnë Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Vuçiq theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk kanë lëvizje plotësisht të lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, ndonëse, sipas tij, ato janë të lidhura ngushtë ekonomikisht dhe gjeografikisht.

Ai vlerësoi gjithashtu se rajoni vazhdon të ndiejë pasojat e konflikteve të viteve ’90 dhe theksoi se nevojitet bashkëpunim më i madh mes shteteve që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në mënyrë që të përparojnë më lehtë në rrugën drejt integrimit evropian.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume