Ky mund të jetë brezi i fundit i diasporës që voton masivisht në Maqedoninë e Veriut. Brezi i ri, i lindur dhe i rritur në Perëndim, po ndërton jetën e tij në një realitet krejt tjetër. Ai nuk ka të njëjtën lidhje emocionale me politikën e vendlindjes dhe vështirë se do t’u përgjigjet më thirrjeve të politikanëve sa herë afrohen zgjedhjet.
Mund ta bëni votimin me postë, elektronik apo me çdo model tjetër. Por një gjë nuk mund ta ndryshoni sepse besimi nuk krijohet me procedura teknike. Ai fitohet me integritet që politika nuk e ka.
Për dekada me radhë, diaspora ka qenë shtylla më e fortë e këtij vendi. Ka mbështetur familjet, ka investuar, ka ndërtuar shtëpi, biznese dhe ka mbajtur gjallë ekonominë me miliarda euro që kanë hyrë në vend ndër vite. Edhe institucionet ndërkombëtare e kanë vlerësuar se emigracioni dhe dërgesat e diasporës mbeten një faktor i rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Por politika, në vend që ta trajtojë diasporën si partnere, shpesh e ka kujtuar vetëm kur i janë afruar zgjedhjet. Respekti ka qenë i përkohshëm, i lidhur me interesin elektoral. Pasi mbyllen kutitë e votimit, harrohen edhe njerëzit që kanë ardhur nga mijëra kilometra larg, me shpenzimet e tyre, vetëm për të votuar.
Shembulli më domethënës është Bërvenica. Mobilizimi ishte i madh. Shumë mërgimtarë udhëtuan, votuan dhe besuan se po kontribuonin për ndryshim. Më pas panë pazaret politike, marrëveshjet dhe kompromiset që i bënë të ndihen të mashtruar.
Sot, kur Bërvenica përballet sërish me zgjedhje, lind një pyetje e thjeshtë se kush do të marrë përsipër sërish shpenzimet, kohën dhe sakrificën për të ardhur, kur ende nuk është shëruar zhgënjimi i herës së fundit?
Diaspora nuk ka kërkuar asnjëherë privilegje, por respekt.
Kërkon që vota e tyre të mos përdoret si mjet për interesa të momentit. Nëse humbet besimi i diasporës, nuk humben vetëm vota, por një lidhje që për dekada ka mbajtur gjallë familje, ekonomi dhe shpresën se ky vend mund të bëhet më i mirë.