Ndërtimi i gjashtë spitaleve rajonale mbetet premtim i parealizuar i VLEN-it edhe dy vite pas qeverisjes së tyre, shkruan Portalb.mk.
Një nga premtimet më të mëdha të VLEN-it para zgjedhjeve në fushën e shëndetësisë ishte ndërtimi i gjashtë spitaleve rajonale.
Ky projekt ishte paraparë si një nga shtyllat kryesore të reformës në shëndetësi.
Po ashtu, në programin zgjedhor VLEN-i, ishte zotuar se në nivelin primar do të hapeshin klinika të mjekësisë familjare për çdo 5.000 banorë, përfshirë zonat rurale, si dhe poliklinika për çdo 20.000 banorë.
“Në nivelin sekondar synojmë të kemi nga një spital modern për çdo 100.000 banorë. Në regjionet ku jetojnë shqiptarët do të hapen gjashtë spitale, të cilët do të menaxhohen nga komunat. Investimi për këto spitale do të jetë ose prej buxhetit publik, ose si PPP”, qëndron në programin zgjedhor të VLEN-it.
Por dy vite më vonë, ky premtim nuk është realizuar edhe pse me Ministrinë e Shëndetësisë kanë udhëhequr kuadro nga VLEN, fillimisht Arben Taravari ndërsa më pas Azir Aliu.
Portalb.mk kërkoi sqarime nga VLEN se pse nuk është realizuar ky premtim, por nga kjo parti, si në disa raste tjera kur i kemi pyetur se pse nuk janë realizuar premtimet, nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Kujtojmë se një nga projektet i cili po zvarritet vazhdimisht është ndërtimi i Spitalit të Kërçovës.
Përveç kushteve të papërshtatshme dhe mungesës së investimeve në spitale, sistemi shëndetësor në vend po përballet edhe me mungesën e stafit mjekësor. Sipas të dhënave të Shoqatës së mjekëve të Maqedonisë, për 10 vjet numri i mjekëve në vend është zvogëluar për 2000.