Gjyqtarja Daniela Dimovska është zgjedhur kryetare e re e Gjykatës Themelore Penale në Shkup. Vendimi u mor sot nga Këshilli Gjyqësor, pas përfundimit të procedurës së përzgjedhjes për këtë post njofton INA.

Në konkursin publik për pozitën ishin paraqitur dy kandidatë: Daniela Dimovska, gjyqtare dhe ushtruese e deritanishme e detyrës së kryetares së Gjykatës Themelore Penale në Shkup, si dhe Ivica Stefanovski, gjithashtu gjyqtar në të njëjtën gjykatë.

Këshilli Gjyqësor e zgjodhi Dimovskën me 11 vota “pro”, ndërsa ajo mori edhe katër vota “pro” sipas parimit të Badinterit.

Vendimin e bëri të ditur kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.

“Konstatoj se Këshilli mori vendim me të cilin Daniela Dimovska zgjidhet kryetare e Gjykatës Themelore Penale – Shkup”, deklaroi Kambovski.

Kryetari i Komisionit për Zgjedhje, Ivica Nikollovski, njoftoi se të dy kandidaturat ishin të rregullta dhe se kandidatët kishin kaluar të gjitha fazat e parapara të procedurës, përfshirë testimet dhe intervistat.

Dimovska e ushtronte funksionin e ushtrueses së detyrës së kryetares së gjykatës prej një viti. Para kësaj, ajo ishte gjyqtare në Departamentin për Krim të Organizuar dhe Korrupsion pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup, ku ka trajtuar lëndë që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë./

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume