Arabia Saudite drejt armëve bërthamore? Administrata Trump përgatit marrëveshje për teknologjinë nukleare
Dokumenti nuk e përfshin të ashtuquajturin “standardi i artë”, që do t’i ndalonte Arabisë Saudite pasurimin e uraniumit dhe përpunimin e karburantit bërthamor të shpenzuar, që do të thotë se do të mund të prodhojë armë bërthamore.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump planifikon t’i dërgojë Kongresit për miratim një marrëveshje me Arabinë Saudite për ndarjen e teknologjisë bërthamore, për të cilën mediat amerikane thonë se nuk përmban masa mbrojtëse për të parandaluar përdorimin e saj në programe për zhvillimin e armëve bërthamore.
Bëhet fjalë për një dokument të njohur si Marrëveshje sipas nenit 123 të Ligjit amerikan për Energjinë Atomike, të cilën vitin e kaluar e nënshkruan ministri amerikan i Energjisë Chris Wright dhe ministri saudit i Energjisë Abdulaziz bin Salman.
Marrëveshjet e bazuara në nenin 123 lejojnë bashkëpunimin e SHBA-së me shtete të tjera në fushën e energjisë bërthamore, duke përfshirë transferimin e teknologjisë dhe materialeve bërthamore.
Burime të njohura me marrëveshjen thonë se dokumenti nuk e përfshin të ashtuquajturin “standardi i artë”, që do t’i ndalonte Arabisë Saudite pasurimin e uraniumit dhe përpunimin e karburantit bërthamor të shpenzuar – aktivitete që potencialisht mund të përdoren për zhvillimin e armëve bërthamore.
Arabia Saudite prej vitesh synon të zhvillojë një program civil bërthamor, ndërsa Washingtoni më parë kërkonte garanci nga Riyadh se teknologjia bërthamore nuk do të përdoret për qëllime ushtarake.