Sipas një analize të re nga Klasifikimi i Integruar i Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC), rreth 1.4 milionë njerëz në Gaza pritet të përballen me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore deri në dhjetor të vitit 2026, nga 1.2 milionë gjatë periudhës nga mesi i prillit deri në qershor, pavarësisht përmirësimeve të nxitura nga ndihma humanitare, transmeton Anadolu.

MARKETING

IPC bëri të ditur se numri i njerëzve që përjetojnë krizë (Faza 3) ose gjendje edhe më të rënda pritet të rritet në 67 për qind të popullsisë së Gazës ndërsa 212 mijë persona pritet të mbeten në gjendje emergjence (Faza 4). Të pesë guvernoratet e Gazës klasifikohen në fazën e krizës.

Raporti thekson se zgjerimi i ndihmës humanitare pas armëpushimit të tetorit të vitit 2025 ndihmoi në përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe të gjendjes ushqyese, me ndihmë ushqimore që arriti te rreth 1.49 milionë njerëz në muajin maj.

Megjithatë, ai paralajmëron se racionet mbeten të pamjaftueshme, mjetet e jetesës janë shkatërruar dhe 83 për qind e familjeve raportojnë se nuk kanë asnjë burim të ardhurash, duke i lënë shumicën e tyre të varura nga ndihma e jashtme.

IPC-ja paralajmëroi se përmirësimet e fundit mbeten “shumë të brishta”, pasi ndihma humanitare ka rënë që nga shkurti për shkak të kufizimeve financiare dhe pasigurisë lidhur me funksionimin e organizatave ndërkombëtare të ndihmës.

Raporti vlerëson se pa ndihmën humanitare ushqimore, rreth 1.9 milionë njerëz, afërsisht 90 për qind e popullsisë së Gazës, do të përballeshin me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore deri në fund të dhjetorit.

Raporti parashikon gjithashtu se deri në prill të vitit 2027, 74.200 fëmijë nën moshën 5-vjeç do të kenë nevojë për trajtim për kequshqyerje akute, përfshirë 11.432 raste të rënda. Ndërkohë, 24.600 gra shtatzëna dhe nëna gjidhënëse kanë nevojë urgjente për mbështetje ushqyese.

IPC-ja bëri thirrje për ruajtjen e qasjes humanitare, zgjerimin e programeve të ushqyerjes dhe një ndërprerje të përhershme të luftimeve, në mënyrë që të parandalohet përmbysja e përmirësimeve të arritura së fundmi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume