Ministria e Financave mundëson rikonstruimin e Poliklinikës “Idadija”– investim me vlerë mbi 31 milionë denarë
24 korrik 2026, Shkup – Filloi rikonstruimi i ISHP-së Shtëpia e Shëndetit – Shkup, Poliklinika “Idadija”, investim me vlerë mbi 31 milionë denarë. Projekti “Rikonstruimi i ISHP-së Shtëpia e Shëndetit – Shkup, Poliklinika “Idadija”, me masat për rritjen e efikasitetit energjetik”, po realizohet në kuadër të Projektit të Efikasitetit Energjetik në Sektorin Publik (PEESP), i cili implementohet nga Njësia e Zbatimit të Projektit në kuadër të Ministrisë së Financave, në bashkëpunim me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Bankën Botërore dhe Kornizën Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Marrëveshja e grantit ndërmjet Shtëpisë së Shëndetit – Shkup dhe Ministrisë së Financave u nënshkrua në muajin dhjetor të vitit 2025, me ç’rast u zhvillua procedura e prokurimit publik, ndërsa në muajin mars të këtij viti u nënshkrua marrëveshja me realizuesin e përzgjedhur në vlerë prej 31.028.850 denarësh, ku filloi edhe realizimi i punëve ndërtimore.
Me këtë rikonstruim, objekti do të modernizohet me zgjidhje bashkëkohore, me kushte të përmirësuara të punës për personelin mjekësor dhe me kushte më cilësore për qëndrimin e pacientëve.
Poliklinika “Idadija”, e ndërtuar në vitin 1975, për më shumë se katër dekada funksionoi me infrastrukturë të vjetëruar, repektivisht pa izolim të duhur termik, me dritare dhe dyer të jashtme të amortizuara, me sistem joefikas të ngrohjes dhe ndriçim të vjetëruar. Kjo gjendje rezultoi me konsum të lartë të energjisë dhe rritje të shpenzimeve për funksionimin dhe mirëmbajtjen e objektit.
Rikonstruimi po realizohet në bazë të kontrollit të krijuar energjetik paraprak dhe projektit bazë, që përfshin vendosjen e fasades së re me termoizolimin dhe izolimin e çatisë, zëvendësimin e plotë të dritareve dhe dyerve të jashtme, modernizimin e sistemit të ngrohjes qendrore, instalimin e ndriçimit LED me efikasitet të lartë energjetik, si dhe rikonstruimin e instalimeve elektrike.
Me realizimin e këtij projekti pritet të ulet dukshëm konsumi i energjisë elektrike dhe termike, si dhe shpenzimet operative për funksionimin e institucionit, kushte më të mira të punës për personelin shëndetësor dhe mjedis më cilësor, më i sigurt dhe më efikas për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, në dobi të mijëra qytetarëve që çdo ditë shfrytëzojnë shërbimet e Poliklinikës “Idadija”.
Rikonstruimi i Poliklinikës “Idadija” paraqet gjithashtu investim të rëndësishëm në modernizimin e shëndetësisë publike dhe është pjesë e përpjekjeve më të mëdha për avancimin e infrastrukturës publike përmes objekteve efikase energjetike dhe të qëndrueshme, të cilat sigurojnë shërbime më cilësore për qytetarët dhe shfrytëzim më efikas të mjeteve publike.