Rita Ora ka zbuluar një anë më personale të jetës së saj, duke treguar se mban gjithmonë pranë një varëse të veçantë me kristale, të cilën e konsideron burim qetësie dhe ekuilibri përballë ritmit intensiv të karrierës.

Në një intervistë për “The New York Times”, këngëtarja me origjinë shqiptare tregoi se bizhuterinë e mori si dhuratë për 34-vjetorin nga një prej mikeshave të saj më të afërta. Sipas saj, varësja është krijuar posaçërisht me kristale të përzgjedhura në bazë të energjisë dhe simbolikës së tyre.

“Është një lloj objekti që më ndihmon të çliroj stresin dhe të ruaj energjinë time. Në këtë industri është shumë e lehtë të humbasësh ekuilibrin, ndaj kjo më ndihmon të qëndroj e përqendruar”, u shpreh artistja.

Varësja përmban citrin, i cili lidhet me energjinë pozitive dhe gëzimin; kuarc të tymosur, që e ndihmon të qëndrojë me këmbë në tokë; ametist të gjelbër, si simbol i pafajësisë, si dhe kuarc të pastër, të cilit i atribuohet forcimi i synimeve dhe vetëdijes.

Megjithëse pranon se nuk ka një shpjegim shkencor për ndikimin e kristaleve, Rita beson në energjinë që ato përcjellin.

“Ndoshta është thjesht diçka mendore, por ndihem e mbrojtur dhe më e qëndrueshme. Nuk e di nëse është efekt placebo, por besoj se këto objekte mbajnë energji dhe energjia është reale”, deklaroi ajo.

Këngëtarja tregoi se e vendos varësen sa herë që ka mundësi, ndërsa kur ajo nuk përshtatet me veshjen, e mban në çantë për ta pasur gjithmonë pranë.

Gjatë intervistës, Ora foli edhe për ndikimin e traditave shqiptare në jetën e saj. Ajo pranoi se është supersticioze dhe kujtoi me nostalgji disa prej ritualeve që praktikonte gjyshja e saj.

“Ne, evropianët lindorë, dhe veçanërisht ata që vijmë nga familje shqiptare, jemi rritur me bestytni. Gjyshja ime kryente rituale nën dritën e hënës së plotë dhe lexonte filxhanin e kafesë të kthyer përmbys, sikur të ishte një hartë e së ardhmes”, rrëfeu Rita.

Në aspektin profesional, artistja po promovon filmin “Descendants: Wicked Wonderland”, ku interpreton Mbretëreshën e Zemrave. Ajo ka përfunduar gjithashtu xhirimet e filmave “Honeymoon with Harry” dhe “Voltron”, ndërsa paralelisht po punon për projekte të reja muzikore dhe po vazhdon koncertet në Evropë.