Kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, tha se beson që LDK-ja është dashur t’i bashkohet partisë së tij në bashkëqeverisje.

Ky koment i tij vjen pas deklarimit të djeshëm të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se nuk do të vazhdojnë negociatat për bashkëqeverisje me LVV-në.

“Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje. Ta kemi një marrëveshje politike. Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve, 53 me 18, por edhe deformimi i rezultatit nuk mund të jetë. Nuk është pak me 18 deputetë të marrësh kryetarin e Kuvendit. Kur e pamë që nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit, oferta jonë qysh në pranverë është ripërsëritur tani. Nëse VV do ta kishte kandidatin për president, që ishte Glauk Konjufca, atëherë LDK ta marrë zvkryeministrin dhe 4 ministri. Ndërkaq, nëse kandidati është konsensual, ta marrë zvkryeministrin dhe tri ministri. Sepse LVV po heq dorë nga presidenti”.

“Nuk është pak që nëse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ta zëmë, bëhet zëvendës i imi në qeveri. Nuk është pak edhe nëse rezultati të ishte edhe më i ngushtë”.

“Me idenë e Abdixhikut, iu kam shkruar të tre kryetarëve të partive, që sa më parë të takohemi e të merremi vesh për presidentin”, deklaroi Kurti, teksa shtoi se “duhet të flasim edhe për emra”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume