SHBA përshkallëzon përplasjen me Hagën. Administrata Trump ka vendosur sanksione ndaj presidentes së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Tomoko Akane, duke e akuzuar gjykatën për kërcënim ndaj interesave dhe personelit amerikan. GJPN i dënon masat dhe paralajmëron se ato minojnë shtetin e së drejtës.
Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë hyn në një fazë të re.
Administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur sanksione ndaj presidentes së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, gjyqtares japoneze Tomoko Akane.
Masa është bërë publike nga Departamenti amerikan i Thesarit dhe përfshin ngrirjen e çdo pasurie që ajo mund të ketë nën juridiksionin amerikan, si dhe kufizime në aksesin ndaj sistemit financiar të Shteteve të Bashkuara.
Kjo është një tjetër goditje e Uashingtonit ndaj institucionit me seli në Hagë, ku Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare.
Në qendër të përplasjes janë edhe urdhër-arrestet e GJPN-së ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant. Administrata amerikane ka kundërshtuar gjithashtu hetimet e mëparshme të gjykatës ndaj veprimeve të trupave amerikane në Afganistan. Por Uashingtoni nuk duket se po ndalet me sanksionet.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se administrata Trump synon të intensifikojë përpjekjet për dobësimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, përfshirë një fushatë diplomatike për të bindur vende të tjera që të largohen nga institucioni.
Sipas administratës amerikane, GJPN përbën kërcënim për personelin amerikan dhe për zyrtarët që zbatojnë politikat e Uashingtonit, përfshirë operacionet kundër emigracionit dhe aktivitetet ushtarake.
Por nga Haga vjen një përgjigje e fortë.
Gjykata i ka dënuar sanksionet, duke deklaruar se masat amerikane ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të saj minojnë shtetin e së drejtës.
Sipas GJPN-së, kërcënimi ndaj gjyqtarëve për shkak të zbatimit të ligjit rrezikon jo vetëm funksionimin e gjykatës, por edhe vetë rendin juridik ndërkombëtar.
Përplasja tashmë po shndërrohet në një betejë të hapur mes Uashingtonit dhe institucionit kryesor ndërkombëtar për ndjekjen penale të krimeve më të rënda.