Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, i zhvilluar disa javë më parë në Prishtinë, ka rikthyer debatet në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.

Sipas informacioneve të siguruara nga portali TS, gjatë këtij takimi Kurti i ka kërkuar Selës që t’i bashkohet VLEN-it, në një kohë kur, sipas të njëjtave informacione, VLEN-i në anketat e fundit rezulton më dobët se BDI-ja.

Sipas burimeve të portalit TS, Kurti i ka thënë Selës se ai është më karizmatik dhe më kombëtar se liderët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, duke e parë përfshirjen e tij si të rëndësishme për forcimin e këtij koalicioni.

Nga LSH, për portalin TS, nuk e kanë mohuar se gjatë takimit është diskutuar mundësia e përfshirjes së Selës në VLEN. Nga kjo parti kanë potencuar gjithashtu se është e vërtetë që gjatë takimit në Prishtinë, Kurti i ka thënë Selës se ai është më kombëtar se Kasami dhe Mexhiti.

Por, për këto informacione është deklaruar edhe njëri nga liderët e VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Ai mohoi se ka bisedime që Sela t’i bashkohet ose të shkrihet në VLEN, por konfirmoi se ekzistojnë bisedime për mundësinë që Sela të bëhet pjesë e Qeverisë.

“Nuk besoj se ka bisedime për përfshirje në VLEN, por ka bisedë për përfshirje në Qeveri. Qeveria mund të zgjerohet, por me Selën nuk ka bisedime për të qenë pjesë e VLEN-it”, tha Kasami për portalin TS.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare flitet se mund të mbahen më 18 prill të vitit të ardhshëm. Në një situatë të tillë, lëvizjet, ndarjet apo bashkimet e partive politike mund të intensifikohen, veçanërisht nëse anketat e ardhshme tregojnë ndryshime në raportin e forcave politike dhe në mundësinë për formimin e qeverisë së ardhshme./TS/

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume