Qeveria ka dhënë sonte dritën jeshile për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e punës me Shtetin e Katarit, me iniciativë të Ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Memorandumi synon të krijojë mundësi për shkëmbimin e përvojave, ekspertizës dhe praktikave të mira në fusha si marrëdhëniet e punës, inspektimi i punës, siguria dhe shëndeti në punë, si dhe zhvillimi i legjislacionit, njofton TS.
Sipas Ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, bashkëpunimi do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin kombëtar të të dy shteteve dhe pritet të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e kornizës ligjore në fushën e punës.
“Si Ministër i Drejtësisë, e mbështes çdo iniciativë që kontribuon në legjislacion më të mirë, siguri më të madhe juridike dhe institucione më të fuqishme”, ka shkruar Shasivari.
Ai ka theksuar se partneritetet ndërkombëtare paraqesin mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, por edhe për krijimin e zgjidhjeve moderne që mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe forcojnë besimin në institucione.
“Siguria juridike, sundimi i së drejtës dhe dinjiteti i punës janë themelet e një shoqërie moderne dhe efikase”, ka përfunduar Shasivari.


