Arben Fetai takohet me eurodeputetin Thomas Waitz, në fokus integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut
Ish Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Arben Fetai, ka zhvilluar një takim me eurodeputetin Thomas Waitz, raportues i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ku në qendër të bisedimeve ishte përshpejtimi i procesit të integrimit evropian të vendit informon Tetovasot.
Fetai bëri të ditur se takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe përmbajtësore, me fokus te reformat, sfidat dhe hapat që duhet të ndërmerren për të avancuar rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Sipas tij, gjatë takimit u diskutua për reformat që po zbatohen, nevojën për dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me institucionet evropiane, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së.
“Në këtë rrugëtim, përgjegjësia jonë është e qartë: të përmbushim me vendosmëri detyrimet tona, të forcojmë besimin e partnerëve evropianë dhe të krijojmë kushtet që Maqedonia e Veriut të ecë përpara në procesin e integrimit evropian”, ka theksuar Fetai.
Takimi me raportuesin e Parlamentit Evropian, Thomas Waitz, vjen në një periudhë kur vendi synon të intensifikojë angazhimet për avancimin e agjendës evropiane dhe përshpejtimin e reformave kyçe. /Tetovasot/