Ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, është paraqitur në GJKKO, ku pritet të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj saj. E vendosur në “arrest shtëpie” në kuadër të hetimeve të SPAK-ut për dosjen “AKSHI”, Hyseni ka folur shkurt para gazetarëve, duke bërë një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen.

E pyetur nëse i kishte kaluar dokumente të klasifikuara biznesmenit Ergys Agasi, Hyseni u përgjigj:

“Si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner”.

Sipas materialit të publikuar, SPAK po e heton Hysenin për veprat penale të dyshuara “nxjerrje e sekretit shtetëror” dhe “përkrahje e autorit të krimit”.

Hetimet lidhen edhe me komunikimet e saj me biznesmenin Ergys Agasi. Hyseni është marrë në pyetje nga SPAK më 18 shtator, ndërsa sipas qëndrimit të saj, komunikimet me Agasin kanë qenë të lidhura me bashkëpunimin e tij si informator i SHISH-it.

Vlora Hyseni kishte marrë drejtimin e SHISH-it rreth tre vjet më parë, ndërsa më pas u shkarkua nga detyra pas nisjes së hetimeve.

Dosja “AKSHI” vijon të jetë nën hetim, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar edhe te deklarata e Hysenit për “agjentët serbë” në hotelin Rogner.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume