Një ditë para ndeshjes së Ligës së Kombeve ndaj Bjellorusisë, trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Ronald Maran dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë dalë në konferencë për shtyp.

Tekniku kuqezi vlerësoi Bjellorusinë si një skuadër kompakte dhe të fortë, por theksoi se Shqipëria është përgatitur mirë dhe se grupi ka gjetur stimujt e duhur për këtë sfidë.

Maran nënvizoi rëndësinë e përqendrimit, ekuilibrit dhe aftësisë për të interpretuar siç duhet momentet e ndryshme të ndeshjes, duke shprehur besimin te gatishmëria e skuadrës për të dhënë maksimumin.

“Bjellorusia është skuadër shumë kompakte dhe e fortë, ka bërë një rrugëtim të mirë dhe kemi shumë respekt për këtë skuadër. Por përtej kësaj, dua të ndalem te ekipi im që është përgatitur në mënyrë fantastike. Kam parë shumë dëshirën për të punuar dhe kemi gjetur stimujt e duhur. Për mua kjo është gjëja më e rëndësishme, që të përqendrohemi te cilësitë tona. Kam parë gjëra të ndryshme, kam parë dëshirë për të bërë mirë, për të provuar e gabuar, por për të gabuar në aspektin që të mund të përmirësohemi. Për mua janë këto kushtet e duhura për të përballuar këtë ndeshje ndaj një skuadre që respektojmë shumë”, tha trajneri kuqezi, kur foli për Bjellorusinë.

Trajneri i kombëtares shqiptare u pyet edhe për formacionin, teksa shtoi se ndeshje e nesërme do të jetë krenari për të.

“Po, nesër nis me të vërtetë aventura ime si trajner i Shqipërisë, është emocioni që të jep krenari, të bën të japësh më shumë, e kjo më stimulon më shumë. Idetë janë të qarta, kemi pasur ndonjë problem fizik, më është dashur të lë pushim lojtarët sidomos në një repart që kemi pasur mungesa. Por kush do të zbresë në fushë, do të jetë i qartë për të bërë më të mirën dhe për të dhënë maksimumin”, tha ai.

Maran shtoi më tutje, duke thënë se tashmë e ka një pasqyrë më të mirë të lojtarëve të tij.

“Padyshim tani i njoh më shumë, edhe për faktin që kam kohë më shumë. Përveç grumbullimit të parë, më shërbyen edhe këto muaj për t’i takuar disa apo për t’i parë me video. Padyshim për mua është ndryshe tani, tani kam ide më të qartë, edhe pse i njihja më përpara, por duke u thelluar. Janë lojtarë të cilëve u kam njohur disa karakteristika që nuk i njihja në detaj. Pastaj lojtarët ndryshojnë në momente të sezonit, ka lojtarë që po vuajnë apo janë në ngritje. Unë duhet të jem i vëmendshëm, nuk është vlerësim përfundimtar, por edhe i momentit me klubet e tyre apo edhe me ne. Të them emra është e vështirë, jam munduar të thërras ata që janë në gjendje të mirë, apo më të përshtatshmit për modulin dhe karakteristikat që na duhen në këto ndeshje”, shtoi ai.

Trajneri i kombëtares shqiptare ‘zbulon’ më tutje se çka do të pritet nga Shqipëria nesër.

“Qëllimi ynë është të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe të mos humbasim ekuilibrin. Nuk ka rëndësi të kesh gjithmonë topin në posedim, por çfarë bëjmë në momentin që e kemi topin dhe nëse e humbasim, si e interpretojmë lojën. E thashë edhe pak më herët, ka ndeshje brenda ndeshjes. Nga ndeshjet e muajit qershor, kemi marrë disa mësime sa i përket mënyrës si kemi reaguar kur kemi humbur topin. Rezultati jo gjithmonë përcaktohet nga detaje të tilla, por fokusi është të bëjmë ndeshjen më të mirë nesër. Sigurisht që gjatë një ndeshjeje do të ketë vështirësi, por duhet të jemi të fortë, me kurajë dhe koshientë mbi të gjitha për punën që kemi bërë. Dhe atë ta interpretojmë në fushë”, e mbylli ai.

Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë nesër, me fillim nga ora 20:45 në “Air Albania”, ndaj Bjellorusisë, duke nisur aventurën në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Së bashku në grup me shqiptarët janë edhe San Marino e Finlanda.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume