Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie, ku është diskutuar situata politike pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Këshilli Drejtues i PDK-së ka miratuar unanimisht një Deklaratë Politike me tri kërkesa, përfshirë procedimin e ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara, mbështetje institucionale për mbrojtjen juridike dhe përkrahje për organizimet popullore kundër vendimit të Hagës.

Hamza tha se në mbledhje është diskutuar gjerësisht situata aktuale politike, duke e cilësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe të pabazuar në fakte.

“Sapo kemi përfunduar mbledhjen e Kryesisë, ku patëm diskutime për situatën aktuale politike në Kosovë, kryesisht të krijuar pas vendimit të Gjykatës së Hagës. E kemi thënë, por e përsërisim: një gjykim i padrejtë, i pabazuar në fakte, i pabazuar në dëshmi, dhe një vendim i cili e cenon rëndë historinë, të kaluarën, por edhe të ardhmen e Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë, luftë të pastër. Populli i Kosovës është organizuar për liri, për shtet, për pavarësi dhe ne ia njohim të drejtën që secili qytetar i Kosovës, pavarësisht dallimeve etnike e religjioze apo çfarëdo qoftë, të jetojë i lirë në shtetin e Kosovës. Por shprehim mospajtim të thellë me këtë vendim të gjykatës dhe unë jam i bindur që ky vendim, mbi bazën e fakteve, të argumenteve, do të ndryshojë”, tha Hamza.

Ai tha se, sipas tij, kundërshtimi ndaj aktgjykimit nuk është vetëm qëndrim i PDK-së, por se është shprehur edhe nga pjesë të ndryshme të shoqërisë.

“Pse? Sepse këtë lloj mospajtimi nuk po e themi veç ne si parti politike, si Parti Demokratike. Po e thonë qytetarët e Kosovës, po e thonë të rejat e të rinjtë e Kosovës, po e thonë artistët e Kosovës, po e thonë sportistët e Kosovës, po e thonë akademikët, profesorët, gjithë ata të cilët e kanë parë këtë proces se si është zhvilluar”, deklaroi ai.

Hamza tha se PDK-ja do të vazhdojë veprimet për atë që e quan drejtësi, duke përmendur edhe projektligjin që kjo parti ka proceduar në Kuvend për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nisma e PDK-së është proceduar në Kuvend më 21 shtator dhe për të janë shprehur qëndrime të ndryshme nga partitë politike.

“Ne vazhdojmë me punën që të ketë drejtësi. E kemi proceduar ligjin në Kuvend. Kemi kërkuar dhe kërkojmë mbështetje edhe nga partitë tjera politike që ligji të procedohet sa më shpejt dhe ky ligj të jetë në fuqi sa më shpejt. Dhe një prej pikave të deklaratës, e cila është votuar unanimisht në mbledhjen e Kryesisë, është shqyrtimi institucional i nismave ligjore të Dhomave të Specializuara”, tha Hamza.

Sipas kreut të PDK-së, procesi kërkon përkrahje më të gjerë juridike dhe institucionale, duke argumentuar se çështja, sipas tij, i tejkalon kufijtë e një mandati qeverisës apo të një partie politike.

“Gjithashtu, ky proces kërkon një përkrahje të gjithanshme, edhe juridike, edhe institucionale, për shkak se është një çështje e cila i tejkalon përmasat e një mandati të Kuvendit, të Qeverisë, të Presidentit; i kalon përmasat e një partie politike, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është më e madhe se Partia Demokratike e Kosovës, i kalon e i tejkalon përmasat e Partisë Demokratike të Kosovës. Kur kjo është themeluar edhe ka kryer punën e vet në dobi të lirisë e të pavarësisë, Partia Demokratike e Kosovës madje nuk ka ekzistuar. Prandaj kjo kërkon një mbështetje të plotë institucionale për mbrojtjen juridike dhe procesin gjyqësor në Apel”, u shpreh ai.

Hamza kërkoi gjithashtu që mbështetja institucionale të përfshijë edhe mjete të mjaftueshme financiare dhe ndryshimin e plotësimin e udhëzimit administrativ që, sipas tij, do të garantonte trajtim të barabartë në proces.

“Te pika e dytë kur thashë mbështetje institucionale nënkupton edhe buxhet të mjaftueshëm dhe ndryshim dhe plotësim të udhëzimit administrativ i cili garanton që do të jetë barabartë, barabartë në këtë proces me prokurorinë dhe normalisht edhe me gjykatën”, tha Hamza.

Në deklaratën e tij, ai foli edhe për organizimet qytetare kundër vendimeve të Hagës, duke thënë se PDK-ja i ka mbështetur këto aktivitete.

“Dhe pika e tretë: mbështetje për organizimin popullor kundër vendimeve të padrejta në Hagë. Partia Demokratike e Kosovës i ka mbështetur të gjitha organizimet, edhe te platforma qytetare ‘Liria ka emër’, tash edhe te marshi i djemve, burrave e grave që çdo natë protestojnë në sheshin ‘Skënderbeu’, ‘Jo në emrin tonë’, dhe normalisht i kemi mbështetur dhe jemi në mbështetje edhe për organizimet që bëhen nga shoqatat e dala nga lufta dhe ne do të jemi pjesë aktive e mbështetjes e këtyre organizimeve dhe shfaqjen e mospajtimit me një vendim të padrejtë që ka ndodhur në Hagë”, deklaroi ai.

Hamza tha se gjatë mbledhjes ka pasur diskutime të ndryshme, ide dhe propozime lidhur me hapat e mëtejshëm të PDK-së.

“Ka pasur diskutime prej më të ndryshmeve, normalisht edhe ide, edhe propozime, edhe gjithçka që ka shkuar në dobi të këtij procesi”, shtoi Hamza.