Kryeministri Albin Kurti e pranoi tha se Kosova nuk ka përfituar mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.

Fajin për këtë ai ia la mosmiratimit të ligjeve në Kuvend për çfarë tha se pengoi zbatimin me kohë të 6 reformave që kishin afat më 30 qershor.

“Nga 13 reformat e parapara për afatin e 30 qershorit, 6 nuk arritën të zbatohen me kohë. Për rrjedhojë, nga vlera prej 90.7 milionë eurosh e paraparë për këtë afat, nuk u përfituan mbi 40 milionë euro”, tha Kurti në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, të premten.

Ai tha se qeveria kishte raportuar te Komisioni Evropian zbatimin e 20 hapave të reformave, me vlerë 153.3 milionë euro. Komisioni po i vlerëson ato para se të vendosë për lirimin e fondeve.

Kurti kërkoi përqendrim te 22 reformat me afat deri në fund të dhjetorit, të cilat lidhen me 131.4 milionë euro fonde të BE-së. Sipas tij, 8 prej këtyre reformave kërkojnë miratimin e gjithsej 10 projektligjeve në Kuvend.

“Nëse Kuvendi do të jetë funksional, reformat dhe mjetet e dedikuara për to nuk do të humben”, tha ai.

Kurti paralajmëroi se, edhe nëse reformat përmbushen më vonë, vonesat mund t’i kushtojnë Kosovës fondet e lidhura me afatet.

Kryeministri njoftoi se javën e ardhshme Kuvendit do t’i dërgohen 3 marrëveshje për programet IPA. Sipas tij, ato pritet t’i sjellin Kosovës 258 milionë euro. Ai tha se fondet e pritshme nga IPA dhe Plani i Rritjes, të marra së bashku, tejkalojnë 400 milionë euro.

Marrëveshjet për programet e IPA janë marrëveshje financiare për ndihmën që Bashkimi Evropian i jep Kosovës për reforma dhe projekte që e afrojnë me BE-në. IPA do të thotë Instrumenti i Asistencës së Paraanëtarësimit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume