Të paktën 17 persona, mes tyre dy gjeneralë të ushtrisë, kanë humbur jetën në rrëzimin e një avioni të premten në jugperëndim të Republikës Demokratike të Kongos, njoftuan autoritetet të shtunën, transmeton Anadolu.

MARKETING

Aksidenti ka ndodhur në Kenge, kryeqytetin e provincës Kwango.

“Ndryshe nga bilanci fillestar prej 13 viktimash, zbuluam 16 trupa të rriturish dhe trupin e një foshnjeje, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 17”, u tha gazetarëve në Kenge Remy Saki, zëvendësguvernatori i Kwangos.

Sipas Sakit, avioni i vogël i operuar nga kompania Tracep u ishte nisur nga aeroporti i Kikwit në orën 13:50 me destinacion Kinshasën, kur është rrëzuar rreth orës 14:05 sipas kohës lokale dhe mori flakë.

Ai shpjegoi se bilanci është rishikuar pasi është vënë nën kontroll zjarri në rrënojat e avionit.

Mes viktimave ishin edhe dy gjeneralë të ushtrisë, të cilët po udhëtonin në një mision zyrtar: gjeneral-lejtnant Joseph Mutombo, presidenti i parë i Gjykatës së Lartë Ushtarake, dhe gjeneral-lejtnant Lucien-Rene Likulia, auditori i përgjithshëm i ushtrisë, njoftoi ushtria në një deklaratë.

Në një postim në platformën sociale amerikane X, zyra e presidentit tha se presidenti Felix Tshisekedi ka udhëzuar autoritetet kompetente të zhvillojnë një hetim të plotë për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta të aksidentit.

Presidenti shprehu “ngushëllimet e tij më të sinqerta dhe më të thella për familjet dhe të afërmit e viktimave, si dhe për të gjitha forcat e sigurisë”.