Rami Mislimi

“E treta e vërteta për Bërvenicën”, thotë funksionari i VLEN-it

Bërvenica, nga një komunë rurale, u shndërrua në një komunë mbarë shqiptare, jo për nga numri i banorëve e as për nga investimet, por për shkak të një ndarjeje etnike dhe inatit politik se kush do të fitojë, një kandidat maqedonas apo një kandidat shqiptar.
Gara u bë aq e ashpër sa i madh e i vogël e ndjenë në shpirt fitoren e një shqiptari, kandidatit të VLEN-it për Bërvenicën duke besuar!
Askush nuk e kishte imagjinuar, menduar e besuar se pikërisht liderët e VLEN-it do ta braktisnin kandidatin e tyre, jo për shkak të humbjes e as për shkak të karakterit të kandidatit, por për shkak të frikës nga VMRO-ja dhe Mickoski.
Liderët e VLEN-it u larguan, VLEN-i komplet u distancua dhe kandidati i tyre u mbështet vetëm te shqiptarët.
Shqiptarët nuk e lanë në baltë dhe e ngritën në nivelin më të lartë kombëtar, herë me flamuj mbi supe e herë me plis në kokë, pa e ditur se edhe kandidati, por edhe VLEN-i, ishin të shitur te VMRO-ja e Mickoski.
Djersa, mundi, sakrifica, dashuria e shqiptarëve dhe diasporës shqiptare që kishin për flamurin, për vendin dhe për Bërvenicën shqiptare u varrosën pikërisht nga VLEN-i.
Dhe sot, si shqiptar i Bërvenicës, si të besojë?
Si të më mbushet zemra me dashuri kombëtare që të votojë një kandidat që nesër VLEN-i mund sërish ta lërë në baltë?
Si të më shkojë dora që të votoj numrin 4 në raundin e parë, kur e di se në raundin e dytë komplet VLEN-i, bashkë me dy liderët, do ta braktisin ashtu siç e braktisën tjetrin?
Shqiptarët mund t’i mashtrosh një herë duke të besuar, mund t’i mashtrosh dy herë duke të besuar përsëri, ama kurrë nuk mund t’i mashtrosh tre herë!
Bërvenica nuk është vegël e pazareve mes VLEN-it dhe VMRO-së, e as Bilallit dhe Izetit.
Bërvenica duhet të jetë e atij që e do Bërvenicën dhe që do të punojë për Bërvenicën, edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume