Pas rreth pesë dekadash histori dhe tradite në futboll, Shkëndija e Haraçinës po hyn në një fazë të re të zhvillimit të infrastrukturës sportive. Sipas partisë VLEN, në Haraçinë ka nisur realizimi i qendrës së re sportive, një investim i Komunës që mbështetet edhe nga pushteti qendror. Qendra sportive synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e sportit në komunë, me fokus të veçantë te klubi i Shkëndijës, por edhe te fëmijët dhe të rinjtë që do të kenë hapësira më të përshtatshme për stërvitje dhe zhvillim. “Pas 50 vitesh histori, traditë dhe pasion për futbollin, Shkëndija e Haraçinës po merr infrastrukturën që e ka merituar prej vitesh”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.

Sipas kësaj partie, projekti po realizohet nën drejtimin e kryetarit të Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ndërsa në të është përfshirë edhe pushteti qendror.

Mbështetja institucionale për projektin, sipas VLEN-it, është dëshmuar edhe përmes pjesëmarrjes së zëvendësministres së Sportit, Safije Sadiki Shahini, në aktivitetet që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës sportive në komunë.

Nga VLEN theksojnë se qendra e re sportive nuk shihet vetëm si një investim në infrastrukturë, por edhe si një mundësi për krijimin e kushteve më të mira për gjeneratat e reja. “Për Daut Beqirin, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm për sportin në Haraçinë, por edhe një investim në gjeneratat e reja”, thuhet në njoftim.

Në fokus të projektit është edhe e ardhmja e Shkëndijes së Haraçinës, klub me rreth 50 vjet histori në futboll. Sipas VLEN-it, synimi është që infrastruktura e re të shërbejë si bazë për një projekt më të madh, ndërtimin e stadiumit kryesor të klubit. “Qendra sportive është pjesë e vizionit që Shkëndija të ketë infrastrukturën që i përgjigjet historisë së saj 50-vjeçare”, thuhet në njoftim.

Hapi i ardhshëm, sipas VLEN-it, pritet të jetë realizimi i stadiumit kryesor të Shkëndijes, me synimin që investimet në infrastrukturë të krijojnë kushte më të mira për zhvillimin e futbollit dhe sportit në Haraçinë. “50 vite histori. Një kapitull i ri për Shkëndijen dhe Haraçinën”, përfundon njoftimi i VLEN-it.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume