Interes i madh për kapacitetet e energjisë së rinovueshme: MEMS me zgjidhje sistemore për projekte reale dhe realizim më të shpejtë
Një kornizë rregullatore e parashikueshme, koordinimi më i mirë institucional dhe
ndërlidhja e rregullativës me qasjen në financim janë thelbësore që interesi investues
për burimet e rinovueshme të energjisë të shndërrohet në projekte konkrete dhe të
qëndrueshme.
Ky ishte një nga mesazhet kryesore të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve
të Para Minerale në forumin “Menaxhimi i ndërtesave inteligjente dhe financimi i gjelbër
për ajër më të pastër në Maqedoninë e Veriut”, i organizuar në kuadër të bashkëpunimit
me UNECE dhe Ekipin e OKB-së në vend, me pjesëmarrjen e UNDP-së, IOM-it,
BERZH-it dhe institucioneve të tjera partnere.
Forumi bashkoi përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare,
sektorit financiar dhe atij të biznesit, si dhe komunitetit akademik, me fokus në zgjidhje
praktike për avancimin e efikasitetit energjetik, investimet në burimet e rinovueshme të
energjisë dhe financimin e gjelbër.
Në panel-diskutimin “Nga sfidat individuale drejt zgjidhjeve sistemore”, Violeta Nikollova,
këshilltare e posaçme dhe drejtuese e Sektorit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë,
theksoi se në Maqedoni ekziston një interes i konsiderueshëm investues për BRE-të,
ndërsa hapi i ardhshëm i rëndësishëm është krijimi i kushteve që ky interes të rezultojë
në projekte realisht të zbatueshme.
„Kur të njëjtat sfida përsëriten në disa projekte, ato nuk janë më vetëm probleme
individuale, por një sinjal se ku duhet të përmirësohet sistemi. Sfidat individuale
duhet të shndërrohen në njohuri institucionale”, theksoi Nikollova.
Theks i veçantë iu kushtua zbatimit praktik të Ligjit të ri për Burimet e Rinovueshme të
Energjisë dhe përgatitjes së akteve nënligjore, me qëllim vendosjen e rregullave të qarta
dhe të zbatueshme, koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve kompetente dhe
parashikueshmëri më të madhe të procedurave dhe afateve.
Në diskutim u theksua edhe nevoja për të bërë një dallim të qartë ndërmjet interesit
investues dhe projekteve që kanë një rrugë reale drejt realizimit, duke marrë parasysh
tokën, lejet, kapacitetin e rrjetit, financimin dhe afatet reale për ndërtim.
Forumi iu kushtua gjithashtu menaxhimit digjital të energjisë në ndërtesat publike,
infrastrukturës së avancuar të matjes dhe financimit të gjelbër, si instrumente të
rëndësishme për përmirësimin e efikasitetit energjetik, rritjen e investimeve në burimet e
rinovueshme të energjisë dhe kontributin për një ajër më të pastër.
Ministria vazhdon me aktivitetet e orientuara drejt krijimit të një mjedisi të qëndrueshëm,
të parashikueshëm dhe funksional për investime, me rregulla të qarta, kompetenca të
qarta, afate të qarta dhe trajtim të barabartë – si bazë për përshpejtimin e tranzicionit
energjetik në vend.



