Presidenti Bajram Begaj ka thirrur këtë të hënë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku në fokus kanë qenë zhvillimet e fundit dhe ndikimi i tyre në institucionet e sigurisë.

Në mbledhje, përveç anëtarëve të përcaktuar me ligj, janë ftuar edhe Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK.

Sipas njoftimit të Presidencës, diskutimet janë përqendruar te forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimi me partnerët dhe aleatët, si dhe rikthimi dhe forcimi i besimit të publikut te institucionet.

Në përfundim të mbledhjes, është theksuar se institucionet e sigurisë nuk duhet të konkurrojnë me njëri-tjetrin, por të bashkëpunojnë në funksion të sigurisë kombëtare.

“Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes, sigurisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përfundimet e mbledhjes.

Po ashtu, Këshilli ka nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të pavarur të hetimeve të drejtësisë dhe respektimit të tyre nga të gjitha institucionet.

“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, thuhet në deklaratë.

Në fokus ka qenë edhe nevoja për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe kontroll institucional, ndërsa është kërkuar që institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi është në gjendje të korrigjojë vetveten dhe të mbrojë interesin publik.

Në përfundim, Këshilli i Sigurimit Kombëtar ka theksuar se Shqipëria ka institucionet, partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, si dhe kapacitetet profesionale për të përballuar sfidat e sigurisë.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës dhe nuk merr vendime. Mbledhjet e tij zhvillohen të mbyllura.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume