Pas vdekjes së 13-vjeçarit, i cili ishte plagosur në një incident të dhunshëm në Çair të Shkupit, organizata “Zëri kundër dhunës” ka kërkuar që institucionet të hetojnë në mënyrë të plotë rrethanat e rastit dhe të sqarojnë nëse kishte paralajmërime apo sinjale të mëhershme për rrezikun.

Nga organizata kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e të miturit, duke theksuar se humbja e tij nuk duhet të pasohet vetëm nga deklarata dhe premtime që harrohen pas disa ditësh.

“Edhe një herë kërkojmë që shteti të ndërmarrë masa gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna. Sot kërkojmë edhe përgjigje: kush ishte përgjegjës për t’i identifikuar shenjat paralajmëruese, a kishte sinjale të mëhershme dhe çfarë kanë ndërmarrë institucionet kompetente?”, thuhet në reagim.

“Zëri kundër dhunës” kërkon që të gjitha rrethanat e rastit të hetohen në mënyrë të plotë dhe që publiku të informohet për mënyrën se si kanë vepruar institucionet.

“Fëmijët nuk duhet të mbajnë përgjegjësinë për dështimet e institucioneve”

Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje ka kritikuar qasjen që, pas rasteve të rënda, përgjegjësia të kërkohet kryesisht te fëmijët.

“Është e papranueshme që pas çdo rasti të rëndë përgjegjësia përsëri të kërkohet kryesisht nga fëmijët: duke i etiketuar si ‘të dhunshëm’, duke u mbajtur ligjërata për sjelljen dhe duke propozuar dënime gjithnjë e më të ashpra”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, vetëm ndëshkimi nuk mund ta identifikojë një fëmijë në rrezik, të krijojë hapësirë të sigurt për raportim apo të sigurojë në kohë ndihmë psikologjike.

Për këtë arsye, theksohet se institucionet arsimore, qendrat për punë sociale dhe shërbimet shëndetësore duhet të kenë mekanizma funksionalë parandalues, përfshirë staf të trajnuar, mënyra konfidenciale për raportim, vlerësim në kohë të rrezikut dhe mbështetje për fëmijët dhe familjet.

“Asnjë fëmijë që kërkon ndihmë nuk duhet të mbetet vetëm sepse institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës”, thuhet në reagim.

Kërkohet edhe edukim seksual gjithëpërfshirës

Në reagim kërkohet që edukimi seksual gjithëpërfshirës të jetë pjesë e masave parandaluese.

Sipas organizatës, edukimi i përshtatur me moshën mund t’i ndihmojë fëmijët të njohin dhunën dhe abuzimin, të respektojnë kufijtë personalë dhe të të tjerëve, të ndërtojnë marrëdhënie pa poshtërim e detyrim dhe të dinë se ku mund të kërkojnë ndihmë.

“Kur këto njohuri tërhiqen nga shkollat, fëmijët privohen nga një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes që sistemi arsimor duhet t’u sigurojë”, thuhet më tej.

Në fund, organizata i ka bërë thirrje shtetit që të mos e zhvendosë përgjegjësinë te fëmijët.

“Nuk kërkojmë një deklaratë apo fushatë tjetër për ‘tolerancë zero’. Kërkojmë institucione që do të veprojnë në kohë, shkolla ku fëmijët mund të kërkojnë ndihmë në mënyrë të sigurt dhe masa që do të parandalojnë që një fëmijë tjetër të humbasë jetën”, thuhet në reagim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume