Dua të shpreh kënaqësinë time për atë që u bë e ditur sot, përkatësisht se SHA EMV-ja, në periudhën në vijim, do të mund të modernizojë një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve të saj prodhuese, veçanërisht hidrocentralet. Me modernizimin e tyre, në fakt, do të rritet edhe sasia e energjisë elektrike të prodhuar, me çka do të zgjerohet portofoli prodhues i SHA EMV-së në pjesën e energjisë nga burimet e rinovueshme.

Ky projekt ka rëndësi të madhe.

Më kujtohet se për këtë fazë të rehabilitimit të hidrocentraleve kemi folur që në kohën kur isha drejtor i SHA ELEM. Për fat të keq, për një periudhë të caktuar nuk pati përparim. Është mirë që sot, ja, drejtuesit e SHA EMV-së, së bashku me institucionet financiare që siguruan financimin e këtij projekti – një pjesë përmes grantit dhe një pjesë, do të thosha, përmes kredisë së favorshme – do të mundësojnë zgjerimin e portofolit të prodhimit të SHA EMV-së në pjesën e burimeve të rinovueshme të energjisë, përkatësisht në shfrytëzimin e potencialit hidroenergjetik.

Me këtë do të sigurohet energji elektrike cilësore. Kur them cilësore, këtu nënkuptoj energji e cila mundëson rregullimin sekondar dhe terciar brenda sistemit.

Kështu që, qoftë me fat ky projekt dhe uroj që të kemi sa më shumë projekte të tilla!

Po ecim në drejtim të realizimit të qëllimit të kësaj Qeverie për të arritur bilanc neto zero, përkatësisht që diferenca ndërmjet energjisë elektrike të prodhuar dhe asaj të konsumuar të jetë zero.

Prej disa muajsh tashmë jemi në nivelin mbi ose rreth 95 për qind. Pra, ngadalë, por sigurtë, po i afrohemi qëllimit, që është të arrijmë bilanc neto zero në fund të vitit.

Mendoj se vitin e ardhshëm madje do të kemi edhe teprica të caktuara. Kështu, edhe ky qëllim dhe ky prioritet, ngadalë, por sigurtë, po realizohen.

Kaq do të kisha për të thënë. Nëse keni pyetje, jam në dispozicionin tuaj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume