Këshilli Organizativ ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje në një marsh protestues që do të mbahet të premten, më 2 tetor 2026, në ora 18:00, në sheshin “Dëshmori i Kombit Beqir Sadiku” në Sllupçan.
Sipas organizatorëve, marshi organizohet si shprehje e kundërshtimit ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara për ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe ish-krerët shtetërorë të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Në thirrjen publike ftohen të gjitha partitë politike shqiptare, pa dallim, që t’i bashkohen marshit, duke theksuar se kjo nuk është çështje partiake, por një çështje që lidhet me një pjesë të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.
Organizatorët kanë ftuar gjithashtu familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, Bashkësinë Fetare Islame, studentët, profesorët, akademikët, intelektualët, artistët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të gjithë qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë.
Në njoftim theksohet se marshi do të jetë paqësor, qytetar dhe dinjitoz, ndërsa pjesëmarrësve u bëhet thirrje të respektojnë rendin publik dhe ta zhvillojnë protestën me qetësi dhe maturi, raporton Tetovasot.