Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar Qeverinë për mënyrën se si, sipas saj, po trajtohen projektligjet që lidhen me sistemin e drejtësisë.

Në një postim në Facebook, Çitaku ka pretenduar se në komisionet parlamentare po përshpejtohet shqyrtimi i një numri të madh projektligjesh të Qeverisë, pa, siç ka thënë ajo, analizë të mjaftueshme, debat substancial dhe dëgjime publike.

“Drejtësia nuk reformohet duke shmangur shqyrtimin parlamentar. Ky nxitim ngre dyshime serioze se ligjet po i përshtaten agjendës politike të pushtetit”, ka shkruar deputetja e PDK-së, raporton Klankosova.tv.

Ajo ka veçuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të cilin PDK-ja e ka dorëzuar në Kuvend më 21 shtator.

Sipas Çitakut, ndërsa projektligjet e tjera po trajtohen me procedura të përshpejtuara, ky projektligj po mbahet “në sirtarin e ministres” së Drejtësisë, Donika Gërvalla, nën arsyetimin e “ekspertizës juridike”.

“Për ligjet e tjera, procedura të përshpejtuara. Për mbrojtjen e UÇK-së, zvarritje!”, ka shkruar ajo.

Çitaku u ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, që ta procedojnë projektligjin në Kuvend.

“Mos e pengoni këtë projektligj. Procedojeni menjëherë në Kuvend”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Çitaku ka përmendur edhe protestat që po zhvillohen në Prishtinë, duke kërkuar nga Qeveria që “ta dëgjojë popullin që tash e 15 ditë është në shesh”.

“Çdo ditë vonesë vetëm sa ka për ta rënduar përgjegjësinë tuaj. Dhe më besoni: dita e llogaridhënies do të vijë!”, ka përfunduar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Qeveria e Kosovës pritet të mblidhet sot nga ora 11:00, ku në rend dite janë 35 pika. Mes tyre janë shumë projektligje, por jo edhe ai për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. /Klankosova.tv

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume