Reperi nga Kosova, Don Xhoni, është deklaruar pas reagimeve në opinion pasi një pjesë e videoklipit të këngës së tij të re “Seksi mama” u xhirua në monumentin “Makedonium” në Krushevë.
„As unë dhe as ekipi im nuk kishim asnjë qëllim për të provokuar, ofenduar apo ulur vlerën e cilitdo vend apo simboli“, ka shkruar reperi, siç transmetojnë mediat shqiptare.
Sipas tij, lokacioni është përzgjedhur nga produksioni si pjesë e skenarit të videoklipit.
„Asnjë tendencë, asnjë provokim. Vetëm skenar, lokacion dhe projekt artistik. Nuk kam nevojë të krijoj provokime për të marrë vëmendje“, ka porositur Don Xhoni.
Polemikat në opinion kishin të bënin kryesisht me vendimin e udhëheqësisë së Muzeut Historik në Krushevë për t’ia lënë në shfrytëzim kompleksin “Makedonium” produksionit pa i kushtuar vëmendje përmbajtjes, e jo me vetë interpretuesin. Drejtori Miha Oxhaklieski konfirmoi se Bordi Drejtues kishte marrë vendim që hapësira të jepet me qira për 500 euro për disa orë.
“Makedonium-i”, gjegjësisht monumenti “Ilinden”, ka një rëndësi të madhe historike dhe memoriale. Në këtë kompleks prezantohen Kryengritja e Ilindenit, Republika e Krushevës, Lufta Antifashiste dhe ASNOM-i, ndërsa në kupolë ndodhet edhe vendprehja e kryetarit të Republikës së Krushevës, Nikolla Karev.
Më herët gjatë ditës ka reaguar edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili tha se institucionet e këtij lloji nuk duhet të jepen me qira dhe të përdoren për qëllime të tilla, ndërsa paralajmëroi se do të kërkojë shkarkimin e drejtorit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues. Ai u kërkoi falje qytetarëve për lëshimin e bërë.
Ndërkohë, Oxhaklieski ka dhënë dorëheqje të irrevocueshme. Në arsyetim ka theksuar se nuk është shkelur asnjë ligj, rregullore apo vendim, por ka pranuar lëshimin në vlerësim dhe ka marrë përgjegjësinë morale.