Qytetarë të shumtë janë mbledhur sonte në natën e pesëmbëdhjetë të protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara për ish-krerët e UÇK-së.

Protestuesit me këtë rast kanë vendosur mbishkrimin “Bac s’u kry”, duke shprehur mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së, të cilët janë dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë më 16 shtator, me gjithsej 81 vjet heqje lirie.

Ata edhe një herë bënë thirrje për lirimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se vendimi dënues nga Haga “nuk është në emrin e tyre”.
Po ashtu, iu bë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë urgjentisht në Kuvend për miratim të projektligjit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara para datës 6 tetor.
Kujtojmë, nesër në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke filluar nga ora 16:00 në sheshin “Skënderbeu”, do të mbahet protesta e paralajmëruar nga platforma Liria ka Emër, për të shprehur revoltën ndaj vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale.

Përveç në Kosovë, protesta në kundërshtim të vendimit të Speciales janë mbajtur edhe në Shkup, në disa qytete të SHBA-së, në Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri, teksa janë paralajmëruar protesta të reja edhe në Bruksel për datën 10 tetor.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume