VLEN do të qëndrojë në krah të realizimit të çdo projekti dhe investimi që sjell zhvillim për komunën e Haraçinës dhe për qytetarët e saj.
Ajo që ndodhi në kantierin e stadiumit të Shkëndijës nuk është thjesht dëmtim i disa makinerive. Është një përpjekje për të goditur një projekt që simbolizon zhvillimin, investimin dhe një të ardhme më të mirë për Haraçinën.
Për dekada, qytetarët e Haraçinës kanë pritur që premtimet të shndërrohen në vepra konkrete. Sot, kur kjo po ndodh, kur makineritë janë në terren dhe stadiumi po merr formë, dikush tenton ta kthejë zhvillimin në frikë dhe pengesë.
VLEN me Daut Beqirin është e qartë në përcaktimet e saja: zhvillimi nuk ndalet me zjarr, vandalizëm apo kërcënime. Njëkohësisht u themi qytetarëve të Haraçinës: mos lejoni që frika t’ju kthejë pas.
Sepse, ky stadium nuk është vetëm një projekt ndërtimor. Është një nismë se edhe Haraçina meriton investime, infrastrukturë moderne dhe mundësi për të rinjtë e saj.
Për shumë vite, qytetarëve u është kërkuar të presin. Sot nuk po u kërkohet më të presin, por sot po ndërtohet.
Dhe pikërisht për këtë arsye, nuk do të ketë kthim prapa.
Me VLEN, Haraçina nuk do të mbetet peng i së kaluarës. Ajo ka zgjedhur të ecë përpara dhe stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet.